08 Korrik 2020

Rekrutët e rinj të FSK-së dhanë betimin

Prishtinë, 15 nëntor - Në kazermën „Adem Jashari“ të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia e betimit të 337 rekrutëve të rinj, gjenerata e dytë e FSK-së, pas përfundimit të trajnimit bazik nëntë-javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm: Zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Kadri Kastrati, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së, atashe ushtarakë, përfaqësues të NALT-it, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe publike, si dhe familjarë të rekrutëve dhe mysafirë të shumtë.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Mbrojtjes Burim Ramadani, pasi përshëndeti të pranishmit në emër të Ministrit të Mbrojtjes, tha se; sot për mua, sikurse për të gjithë ne, është një ditë e veçantë. Ai duke iu drejtuar të pranishmeve tha se padyshim se „aseti më i çmuar i FSK-së janë vetë pjesëtarët e saj profesionist - ushtarët, nënoficerët dhe oficerët. Jo rastësisht Forca e Sigurisë është institucioni më i besueshëm në Kosovë për gati një dekadë me radhë.

FSK sot, është profesionale, kredibile, multi-etnike, e gatshme për të ndihmuar paqen dhe sigurinë në vend, në rajon dhe kudo nëpër botë“.

Zv. ministri Ramadani duke iu drejtuar rekrutëve tha: „Ju po bëheni pjesë e Forcës sonë në një etapë të rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët. Në kohën kur transicioni ushtarak i FSK-së është në rrugë të mbarë, kur Ministria e Mbrojtjes po konsolidohet dhe FSK-ja po rritet e forcohet. Vizioni ynë është që Kosova të jetë e sigurt, e mbrojtur dhe prosperuese“.

Në fund, zv. ministri Ramadani tha se „Vullneti ynë është bashkëpunimi me të gjithë në rajon, të bindur se kjo i ndihmon paqes. Interesi ynë nacional është konsolidimi i plotë i shtetit tonë. Rruga jonë përpara është thellimi i partneritetit strategjik me SHBA dhe anëtarësimi në NATO“.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, tha: „Kam kënaqësinë dhe nderin që si Komandant i FSK-së, t’ju drejtohem juve ushtarë të nderuar, për përfundimin me sukses të trajnimit bazik. Ju zgjodhët një profesion fisnik për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës pa dallim, dhe për këtë ju duhet të ndiheni krenar“. 

Komandanti i FSK-së, më tej shtoi se; „FSK-ja është një forcë kredibile, multietnike, e trajnuar dhe e pajisur me standardet e NATO-s, transparente dhe e gatshme të koordinohet me të gjithë partnerët vendor dhe ndërkombëtar. Sot, FSK-ja ka kapacitetet e specializuara që mund të ndihmojnë paqen dhe sigurinë kudo në botë krah për krah me ushtarët e vendeve të NATO-s“.

Gjenerali Rrahman Rama, foli edhe për suksesin e FSK-së, gjatë këtij viti. „Ne po e përmbyllim edhe një vit të suksesshëm. Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë strategjikë që FSK-ja të jetë e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme për operacione që garantojnë paqe e stabilitet në rajon e më gjerë“.

Gjenerali Rrahman Rama, duke iu drejtuar rekrutëve tha; ,,Gjatë karrierës tuaj, ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme, andaj nga ju pritet që të jeni të disiplinuar, të përkushtuar, dhe gjithmonë të përgatitur t’i kryeni detyrat sipas udhëzimeve të eprorëve tuaj’’.

Në fund komandanti i FSK-së, përgëzoj stafin e KDS-së, për kontributin e tyre profesional në zhvillimin e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, si dhe e familjarët e rekrutëve për mbështetjen e tyre gjatë shkollimit.

 Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, bazuar në rezultatet e treguara të rekrutëve gjatë trajnimit bazë, shpërbleu këta rekrutë me Lëvdata: Behar Gashin, Hashif Avdiun, Ardian Mziun, Dardan Krasniqin, Alfred Hazirajn, Elvis Haxhollin, Valdrin Selimin dhe Liridon Bekën, ndërsa për arritje të lartë fizike shpërbleu rekrutët: Fisnik Hysenin dhe Vijona Kryeziun.

Në fund të ceremonisë, dhanë betimin 337 rekrutë të rijnë; prej tyre 251 meshkuj, 47 femra dhe 38 pjesëtarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Korrik 2020

- Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton në parim Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendi, salla C301, ora 10:00)

- Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Rrjetit të Grave të Kosovës, Shoqatës “Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, i cili qëllim kryesor ka krijimin e lehtësirave në punësim, të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës. (Hapësirat e Ministrisë së Drejtësisë, kati i 9-të, salla 914, ora 11:00)

- Komuna mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Çifllak, Polluzhë dhe Dobidol për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Rilindja”në fshatin Çifllak, ora 19:00)

- Komuna mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Kramovik, Guri i Kuq dhe Mrasor për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “Mustafë Ibishi” në fshatin Kramovik, ora 20:00)