19 Mars 2024

Regjimenti i dytë i këmbësorisë përmbylli me sukses Stërvitjen fushore “Steel-02”

Prishtinë, 3 dhjetor - Në zonën stërvitore afër kazermës së FSK-së  “Ushtarët  e NATO-s” në Istog u realizua demonstrimi stërvitor përmbyllës i Kompanisë 2A të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore të FSK-së në kuadër të Stërvitjes Fushore katërditore “Steel-02 ”.

Për të parë nga afër demonstrimin e operacioneve stërvitore, ishin ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama të shoqëruar nga zyrtarë e oficerë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Në fillim, ata u pritën nga ana e komandantit të Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj dhe stafi i tij i cili falënderoi për vizitën duke e vlerësuar lart si shprehje e kujdesit permanent të lidershipit me ndikim të madh në motivimin për punë të suksesshme edhe në të ardhmen.

Me këtë rast, komandanti i Regjimentit të Dytë, nënkolonel Astrit Haliti dhe komandanti i Kompanisë 2A, kapiten Kreshnik Zeneli njoftuan lidhur me qëllimin e stërvitjes, konceptin, njësitë e angazhuara, përbërjen e tyre, organizimin, skenarin, si dhe operacionet të cilat u ekzekutuan në stërvitjen përkatëse.

Pas demonstrimit stërvitor, pjesëtarëve të task-forcës pjesëmarrëse në stërvitje iu drejtua ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i cili shprehu përshtypjet e tij për nivelin e lartë të profesionalizimit të demonstruar gjatë stërvitjes.

“Demonstrimi i juaj i sotëm më bënë shumë krenar dhe me besim të plotë se aftësitë dhe kapacitetet tuaja profesionale janë në nivelin më të lart për t’u përballur me të gjitha kërcënimet dhe rreziqet e formave të ndryshme bashkëkohore e shumë komplekse që mund të cenojnë integritetin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve tanë” tha ndër të tjera ministri Quni.

Nga ana e tij, gjeneral Rama shprehu vlerësimin e lartë për nivelin e planifikimit dhe ekzekutimit të stërvitjes së sotme duke theksuar se ky nivel i profesionalizmit të demonstruar është dëshmi e fuqishme se kemi forca të ndërveprueshme për operacione të përbashkëta me forcat aleate.

“Misioni ynë fisnik dhe detyrat tona kërkojnë mund, sakrificë dhe përgjegjshmëri të lart. Për këtë duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit duke kujtuar gjithmonë të kaluarën tonë dhe mbështetjen e partnerëve tanë ” tha ndër të tjera gjeneral Rama.

Me këtë stërvitje, përmbyllet suksesshëm cikli i stërvitjeve të planifikuara të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë për këtë vit dhe ishte aktiviteti i radhës i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në kuadër të procesit të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e territorit, si detyrim kryesor ligjor i saj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)