24 Maj 2019

Publikimi i fotografive të dhunimit, shkelje e dinjitetit të të mbijetuarave të dhunës seksuale

Prishtinë, 16 maj - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përcjellur me shqetësim publikimin e sotëm, nga Deputetja Flora Brovina, të një fotografie që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.

RrGK konsideron se zonja Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Poashtu, zonja Brovina sipas RrGK-se ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

"Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës."

"Për më tepër mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale, dhe të shërbejë si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën seksuale", thekson RrGK.

RrGK u bën thirrje mediave që të largojnë dhe të mos e shpërndajnë këtë fotografi e cila shkel dinjitetin e viktimës të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mund të shërbejë vetëm si dëshmi para organeve të drejtësisë, mirëpo asnjëherë të qarkullojë në këtë mënyrë në publik.

RrGK ju bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, të ofrojnë mbështetjen e tyre ndaj të mbijetuarave, dhe të punojnë në ruajtjen e dinjitetit të tyre duke mos i ritraumatizuar ato dhe familjarët e tyre. RrGK kërkon nga institucionet e Kosovës që nismat që ata ndërmarrin të jenë gjithpërfshirëse, duke mos përjashtuar askënd, siç ishte Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës.

Për 20 vite kanë qenë organizatat e grave ato që kanë ofruar mbështetje për këto gra e burra, derisa institucionet për 17 vite me rradhë kanë qëndruar në heshtje. 

Në prononcim para mediave, zonja Brovina pohon se këto dëshmi janë paraqitur para organeve të drejtësisë, mirëpo sipas saj, as Prokuroria Speciale e as EULEX-i asnjëherë nuk kanë intervistuar këto viktima.

Nëse kjo qëndron, RrGK mbështet fuqishëm dhe pa asnjë rezervë çdo rrugë institucionale në kërkim të drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ky veprim i zonjës Brovina nuk ka kontribuuar  në arritjen e drejtësisë, gjetjen e kryesve të këtyre krimeve apo trajtimin e dinjitetshëm të  mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

RrGK përmes kësaj kumtese kërkon nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në përmbushje të obligimeve në kuadër të mandatit të tyre të kërkojnë llogari nga Gjykatat, si ato vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare për mungesën e reagimit institucional dhe trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019 - Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës, mban aktivitet në Prizren, te Komuna, lidhur me qeverisjen lokale në Prizren dhe kundër korrupsionit si dukuri negative. (Te Komuna, Prizren, ora 14:00)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)