22 Janar 2020

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër 20 personave

Prishtinë, 10 dhjetor - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, kundër 20 personave, 11 prej tyre për vepër penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2. Ndërsa, për 9 persona për vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së.

Të pandehurit, AF., A.S., P.F., A.F., P.F., G.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., dhe P.M. gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri më 24.07.2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende tjera në territorin e Republikës së Kosovës, të gjithë të pandehurit e lartcekur, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal dhe si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve.

Të pandehurit e lartcekur me qëllim që vetës apo personit tjetër ti mundësojë përfitime financiare të kundërligjshme, duke vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët nr. 05/L-022, ashtu që në mënyrë të paautorizuar kanë importuar armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, ku të pandehurit e lartcekur varësisht nga roli i tyre kanë kontribuar në këtë aktivitet kriminal.

Me këto veprime njëmbëdhjetë të pandehurit, AF., A.S., P.F., A.F., P.F., G.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., dhe P.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1 të KPPK-së, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit B.A., F.U., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J. dhe S.K., nga data e pa caktuar e deri më 24.07.2019, në shtëpitë e tyre secili veç e veç kanë mbajtur pa autorizim, në pronësi, kontroll ose posedim, armë në shkelje te nenit 366 paragrafi 1 dhe 2 të KPK-së. Të njëjtit kanë mbajtur armë dhe municion të llojeve të ndryshme, me ç‘rast të njëjtat i janë konfiskuar gjatë ditës së kontrollit nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime të nëntë të pandehurit B.A., F.U., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J. dhe S.K., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon diten e dytë të takimit rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,  do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari. (Prekaz, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës. (Sallën e Mediave të Komunën se Mitrovicës, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve organizon tryezën e diskutimit për diskutimin e efekteve të tarifës 100% në ekonominë  e vendit një vit pas vendosjes së kësaj takse. (Orion Conference Centre, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Vushtrrisë. (Qendr Rinore në Vushtrri, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit me USAID për zbatimin e Programit per trajtimin e ndertimeve pa leje. (Komuna e Prishtinës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Kaçanikut. (Shtëpia e Kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik, ora 14:00)

- Mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, ku do të marrin pjesë teatrot me shfaqjet më të mira dhe dramat e tyre origjinale shqipe nga Kosova. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)