15 Nëntor 2019

Prokuroria i ka dërguar jashtë Kosovës mostrat e zarfeve nga Serbia

Prishtinë, 17 tetor - Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet në lidhje me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, pas raportimeve që më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve.

Prej tyre, 12 kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë hospitalizuar.

Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë mostrat për analiza laboratorike janë dërguar jashtë Kosovës, por nuk ka saktësuar në cilin vend.

“Është gjetur një laborator në njërin nga shtetet e Evropës, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza. Sapo t’i marrim rezultatet ne do t’i bëjmë publike për opinionin”, tha Grantolli.

Ai nuk ka pranuar të tregojë se në cilin vend janë dërguar mostrat.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani nuk ka dhënë detaje se çka ka pasur brenda zarfeve që u ka shkaktuar, siç ishte thënë, reaksione alergjie punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai më 15 tetor kishte deklaruar se pas analizave të bëra për dymbëdhjetë pacientët e shtrirë e që ishin përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë, kishte rezultuar se nuk kanë ndonjë shkaktar infektiv.

Ndërkohë, disa media në Kosovë, duke u thirrur në burimet e tyre, kanë raportuar sejanë gjetur dy lloje të elementeve të mundshme në zarfet nga Serbia.

“Elementi që vetë letra e përmban e që nuk ka rrezik dhe një lloj elementi tjetër që gjendet në spërkatës për pastrim të zyrave ose për spërkatjet e pemëve e që nuk ka rrezik për jetën”, është thënë në raportimet e mediave.

Por drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë ka thënë shkurt se këto njoftime “janë thashetheme”.

Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht ishin 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 përfunduan të shtrirë në spital.

Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera. Pacientët po mbahen ende nën mbikëqyrjen e mjekëve, edhe pse rezultatet e analizave të tyre kanë rezultuar se nuk ka ndonjë shkaktar infektiv .

Prokuroria është duke i vazhduar hetimet në lidhje me këtë rast.

Zgjedhjet e parakohshme paralmentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)