07 Dhjetor 2019

Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë për keqpërdorim të pozitës ndaj 5 personave

Prizren, 3 dhjetor - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër L.K., F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni  422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, me datë 18.03.2019, në Prizren, të pandehurit L.K., kryetar i komisionit, F.K., – zëvendës kryetar i komisionit, R.Sh., A.Sh., dhe G.B., anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, në atë mënyrë që me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik përkatësisht Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, ku theksohet se procedurat për Dhënien në Shfrytëzim afatshkurtër të pronës së Komunës bëhen përmes Procedurave të Ankandit Publik, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Komisioni në fjalë ka favorizuar ofertuesen F.B., në dëm të të dëmtuarit A.D., i cili nuk përzgjidhet si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë, gjegjësisht në shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin e evidentuar me nr. 29 i cili gjendet në sheshin Shatërvan në Prizren.

Ndërsa, ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2, e në anën tjetër edhe përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja F.B., nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës së Prizrenit, e ka poentuar me pikë maksimale, ndërsa më pas komisioni i ankesave pranë Komunës së Prizrenit e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar dhe përmes Vendimit të datës 28.02.2019 duke e kthyer çështjen në rishqyrtim, mirëpo, përkundër faktit të tillë Komisioni përmes njoftimit të datës 01.04.2019 ka potencuar se qëndrojnë prapa njoftimit të datës 17.01.2019 ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit L.K., F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihen në barrë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)