01 Qershor 2020

Prokuroria e Prizrenit akuzon të pandehurin A.K për mashtrim

Prizren, 22 maj - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., me datë 03.02.2020 rreth orës 12:00, përmes postës private, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet, dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër, dhe me këtë e nxit të dëmtuarin A.K., që të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij.

I pandehuri A.K., duke qenë pronar i kompanisë on-line, reklamon produkte përmes rrjetit social “Instagram”, ku përmes kësaj faqeje i dëmtuari me datë 01.02.2020 bënë porosi 6 (gjashtë) palë pantollona, të cilën porosi e pranon me datë 03.02.2020.

Pas pranimit të mallit i dëmtuari A.K., vëren se porosia nuk ishte e njëjta, por ai në vend të pantollonave kishte pranuar disa bluza të vjetra, për të cilat e njofton të pandehurin, mirëpo, i njëjti edhe përkundër që i premton se do t’ia kthente porosinë brenda 24h një gjë të tillë nuk e bënë dhe i shmanget duke mos i treguar emrin e as adresën, e po ashtu nuk i përgjigjet as në rrjetin social dhe as në numrin e telefonit, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë prej 78 euro.

Me këto veprime, i pandehuri A.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Mashtrimi” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.

 â€‹

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Qershor 2020

- Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve 1 qershorit, kompania ndërtimore “Qami Construction” do të dhurojë gjak në Qendrën e Transfuzionit të gjakut dhe bën shpërndarjen e dhuratave për fëmijët të cilat janë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë. (Qendra e Transfuzionit të gjakut në QKUK, ora 9:00)

- Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF organizon konferencën për media për publikimin e Raportit të Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve. (Kampusi Universitar të Universitetit të Prishitnë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit – AKP për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore dhe mjeteve mbrojtëse kundër COVID-19, për Klinikën Infektive në QKUK, pajisje këto të financuara nga fondet e mbledhura gjatë kampanjës tonë Një kafe si flutur. (Barnatorja Qëndrore, QKUK, ora 11:00)
 
- Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), me financimin nga FES, publikon hulumtimin “Qasja në mësimin online dhe kushtet e jetesës për familjet përfituese të Skemës së Asstencës Sociale gjatë Covid-19. (Hotel Sirius, ora 11:45)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime prezanton hulumtimit “A po ndryshon koncepti i atësisë në Kosovë?”. (https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdlUfSJPvTqynWzbxg2lXiq2Csq7vFeKnBg_kVgfvyHCkfpkQ/viewform,  ora  16:00)

 

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mban konferencë për media. (Hapësira në hyrje të Presidencës, ora 16:00)