18 Prill 2024

Projektligji për Siguri Private në dëgjim publik

Prishtinë, 6 tetor - Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për shërbimet e sigurisë private. 

Anëtari i këtij komisioni, deputeti Lulzim Zeneli, theksoi se propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të kompanive të shërbimeve të sigurisë private do të ndihmojnë punën e komisionit në amendamentimin dhe përpunimin e projektligjit në fjalë.

“Ne si komision parlamentar e kemi mbështetjen edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që mbikëqyrin punën e këtij komisioni, respektivisht nga OSBE-ja, e cila përmes ekspertëve të huaj do të ndihmojë që drafti final i këtij projektligji të jetë sa më i kompletuar, në mënyrë që të kemi një dokument final i cili do të jetë i zbatueshëm dhe në shërbim të veprimtarisë që ju e zhvilloni, në përgjithësi të shërbimeve të sigurisë private”, tha Zeneli.

Projektligji i cili aktualisht është në procedurë parlamentare ka hasur në kritika të shumta nga ana e përfaqësuesve të kompanive private të sigurisë. Ata me këtë rast paraqitën vërejtjet dhe shqetësimet e tyre  rreth projektligjit duke këshilluar komisionin me propozime të ndryshme për amendametimin e këtij projektligji.

Përfaqësues të këtyre kompanive u shprehën se në mungesë të ligjit ata janë ndjerë të diskriminuar, prandaj kërkuan nga legjislativi që të kenë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e tyre me qëllim që ky ligj të gjejë zbatueshmëri në vend.

Shërbimet e armatosura, mbulimi i dëmeve, suspendimi i licencës, procedurat e punësimit etj, ishin disa nga çështjet që ngjallën debat gjatë këtij dëgjimi publik. “Suspendimi i licencës është dënim me vdekje për industrinë e sigurisë private”, theksuan të pranishmit.

Duke vlerësuar se ligji në fjalë është i paqartë, përfaqësues të kompanive private të sigurisë  theksuan se ky ligj nuk mund të implementohet në tërësi në kushtet kosovare.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rrustem Mustafa tha se është i kënaqur me projektligjin, meqë ka disa detaje që janë përmirësuar dhe ndryshuar. “Infrastruktura ligjore për sektorin e juaj është e mirë dhe e pranueshme. Të gjitha propozimet tuaja do të merren në shqyrtim. Do të jemi ndër vendet e para në rajon që do të dalim me ligjin më të mirë të industrisë së sigurisë private”, tha Mustafa.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)