20 Nëntor 2019

Procesi i përzgjedhjes së noterëve të rinj me shkelje serioze të ligjit

Prishtinë, 6 korrik - Instituti Colombus, Organizata Çohu, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shprehin shqetësimin e tyre të thellë lidhur me mbarëvajtjen e fazës së parë të provimit të noterisë dhe për më tepër konsiderojnë skandaloz  faktin që një numër i madh i kandidatëve të cilët kanë kaluar fazën e parë të procesit përzgjedhës për Noter, fazën e testimit me shkrim, janë në lidhje të drejtpërdrejtë familjare, politike e miqësore me anëtarët e komisionit dhe partinë politike që menaxhon me Ministrinë e Drejtësisë.

Fillimisht ne si organizata bëjmë të qartë faktin se mbështesim çdo proces meritor e profesional për cdo aplikant dhe respektojmë të drejtën e secilit për të qenë pjesë e një procesi meritor e profesional, mirëpo kundërshtojmë abuzimin dhe shfrytëzimin e lidhjeve, qoftë politike, familjare e miqësore për të favorizuar kandidatë të caktuar. Rezultatet e para mbetën shqetësuese.

Gjetjet e raportuara nga Koha Ditore dhe të konfirmuara nga organizatat në fjalë janë tregues i qartë se  një numër madh i kandidatëve të cilët kanë kaluar pjesën e parë të vlerësimit, janë në lidhje të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë  me anëtarët e Komisionit Vlerësues, persona të profilit të lartë politik, grupe të interesit, persona në pozita kyçe në sistemin e drejtësisë në Kosovë, noter dhe përmbarues aktual, dhe punonjës të kësaj Ministrie. Një gjetje e tillë konfirmon edhe njëherë masën e keqpërdorimit të pushtetit publik, privatizimin e ligjit dhe konfirmojnë arsyet se pse qytetarët vazhdojnë ta humbasin besimin në institucionet publike dhe shpresën për të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Organizatat në fjalë konsiderojnë që çdo proces, përfshirë këtë të fundit, i cili përcillet me gjetje të tilla dhe që është dukshëm në shkelje flagrante të ligjit për konflikt interesi, parimit të meritokracisë si parim bazë  i çdo procesi përzgjedhës për profesionet të lira, ndikon në shlyerjen e standardit që duhet ndërtuar për të siguruar një sistem të mirëfilltë të noterisë publike që është profesional, i pavarur dhe garanton për shtetin e së drejtës dhe lirisë kontraktuale.

Lejimi që një praktike e tillë të shndërrohet në normalitet mbetet e rrezikshme dhe humbet besimin që pushteti publik i cili është besuar noterëve  do të ushtrohet në mënyrë profesionale. Për ne mbetet e papranueshme që nepotizmi,  lidhjet shoqërore, miqësore dhe politike të  shndërrohen në standarde të cilat janë të domosdoshme për të qenë të sukseshëm në këtë proces përzgjedhës.

Bazuar në raportin e progresit të Komisionit Evropian (raporti për vendin i vitit), sektori i sundimit të ligjit duke përfshirë mekanizmat që zbatojnë pushtetin publik  vazhdon të jetë i ndikuar politikisht  dhe jashtëzakonisht joprofesional, dhe si i tillë ky vlerësim është përsëritur për vite me radhë. Procesi i përzgjedhjes së noterëve të rinj veçse konsiderohet vazhdimin e  një logjike të tillë klienteliste.

Organizatat në fjalë kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë që këtë proces ta kthejë në pikën zero ndërsa procesi i ri për përzgjedhjen e kandidatëve të monitorohet nga institucionet ndërkombëtare dhe Organizatat e Shoqërisë Civile. E gjithë kjo do të garantonte transparencë me të madhe në këtë proces, barazi për kandidatët e dhe meritorkraci për secilin aplikant.

Përmes këtij reagimi ne gjithashtu u kërkojmë Odës së Noterëve si palë e parë që atakohet nga ky proces, përfshirë noterët individual,  që të tejkalojnë frikën, të kundërshtojnë një praktikë të tillë, si dhe t’i bashkohen thirrjes sonë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë që të ndalë praktika të tilla dhe si minimum të garantoi që personat jo-meritor, me lidhje të qarta familiare, lidhje të ngushta miqësore me anëtarët e komisionit të cilët dukshëm kanë përdorur lidhjet politike të mos jenë pjesë e sistemit noterial.

Ministria e Drejtësisë bartë mandatin që të garantoi organizimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për noter gjithmonë duke respektuar parimin e meritokracisë, bazën ligjore të rregullimit të përzgjedhjes së kandidatëve përmes sigurimit të një procesi të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga çfarëdo lidhje politike, familjare e shoqërore/miqësore.

Prandaj, Ministria e Drejtësisë duhet ta kthejë tërë procesin në pikën zero dhe duhet të garantojë që procesi i ri dhe përzgjedhja e noterëve, të jetë në përputhshmëri me parimet bazë të cilat do të garantonin profesionalizëm, barazi, transparencë dhe meritokraci për secilin kandidat. Reformat në sistemin e drejtësisë dhe sektorin e sundimit të ligjit në përgjithësi nuk mund të shihen të ndara nga këto fenomene abuzive dhe si të tilla mbeten në përgjegjësinë direkte të Ministrit që të grantoi që ky proces të rikthehet në margjina të pranueshmërisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 nëntor 2019

- Ambasada e Finlandës, UBT dhe UNDP organizojnë bashkërisht konferencën “Towards Small Scale Innovative Ecosystems in Kosovo”. (Kampusi Inovativ i UBT-së në Lipjan, ora 9:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në konferencën “Small-Scale Innovative Ecosystems in Kosovo”, organizuar nga ambasada e Finlandës në Prishtinë në bashkëpunim me UBT. (Magjistralja Prishtinë - Lipjan, kampusi i UBT-së, ora 9:00)

- Me rastin e shënimit të 20 nëntorit - Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, Komuna e Gjilanit organizon vizitë nga Asambleja e Fëmijëve në tri shkollat fillore: Selami Hallaqi, Thimi Mitko, Rexhep Elmazi për nder të Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. (Objektete e shkollave, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve hap dyert për fëmijët, prindërit dhe të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë ambientet e KOMF për të biseduar bashkë për të drejtat e fëmijëve. (Zyret e KOMF, ora 10:00)

- Fillon punimet Kongresi i parë ndërkombëtarë për trajtimin e hershëm të infarktit të miokardit. (Hotel International Prishtina, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa i Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e gjashtë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Rahovecit. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 10:00)

- Zyra e UNICEF-it në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Shtëpinë e Evropës në Kosovë organizojn aktivitetin kryesor për shënimin e 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ora 11:00) 

- OQJ Integra organizon publikimin e raportit “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Fëmijët e çerdhës "Dardania" në Gjilan dhurojnë 120 pako dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta. (Gjilan, ora 11:00) 

- Mbahen aktivitete argëtuese për fëmijët e zgjedhur nga Handikos, Asambleja e Fëmijëve, fëmijët nga komunitetet si dhe nga shkollat SHFMU, Gjilan mbështetur nga 'Albanica' dhe 'Kimi'. (Gjilan, ora 12:00)

- Komuna e Gjilanit organizon program nga Qendra e Vallëzimit Modern “Dancing House” Vallëzim Modern, Balet dhe Popullore. (Teatri i Qytetit, Gjilan ora 15:00)

- Qendra Multimedia shfaq "Pesë stinet e armikut te popullit" me regji të Blerta Nezirajt. (Teatri "Bekim Fehmiu" në Prizren, ora 20:00)