09 Gusht 2020

OSBE prezanton raportin për të drejtat e fëmijëve në procedura gjyqësore

Prishtinë, 12 qershor - Misioni i OSBE-së në Kosovë lansoi sot raportin “Fëmijët në radhë të parë: Roli i Qendrave për Punë Sociale në procedurat gjyqësore”.

Raporti shqyrton mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, me fokus të veçantë në rolin e Qendrave për Punë Sociale (QPS) në procedurat gjyqësore që përfshijnë fëmijë.

Raporti ofron një përmbledhje të kornizës ligjore që ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë dhe thekson rëndësinë e parimit të interesave më të mira të fëmijës, siç reflektohet në legjislacionin e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.

Raporti vë në dukje praktikat pozitive të QPS-ve, ku stafi ka ofruar mbështetje dhe udhëzime proaktive për palët (përfshirë fëmijët) në raste të dhunës në familje.

Por, gjithashtu, raporti thekson fushat në të cilat QPS-të nuk janë angazhuar në nivel të duhur në mbrojtjen e interesave më të mira të fëmijëve, gjegjësisht mungesën e punonjësve socialë në seanca gjyqësore, kur thirren nga gjykata, pasivitetin në procedura, si dhe dorëzimin e raporteve me vonesë apo të paplota.

Monitorimi i gjykatave nga 2017 deri 2019 zbuloi se përfaqësuesit e QPS-ve kanë munguar në 109 nga 152 seanca të monitoruara dëgjimore, ku prania e tyre kërkohej me ligj.

“Kur procedurat gjyqësore bëhen pjesë e jetës së një fëmije, kjo shpeshherë mund të shoqërohet me rrethana traumatike dhe të ketë pasoja mjaft të mëdha. Është e domosdoshme që të gjitha institucionet përkatëse të angazhohen plotësisht në mbrojtjen e të drejtave të secilit fëmijë, duke i kushtuar vëmendjen kryesore interesave më të mira të fëmijës”, tha ambasadori Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Në përfundimet e tij, raporti thekson se roli i QPS-ve është thelbësor në sigurimin e ekspertizës dhe informacionit të nevojshëm në mënyrë që gjykatat të nxjerrin gjykime të plotfuqishme dhe të drejta, duke respektuar interesat më të mira të fëmijës. Gjykatat duhet të sigurojnë që roli i QPS-ve realizohet në mënyrë efektive dhe plotësisht në përputhje me kërkesat ligjore.

Raporti përfshin një sërë rekomandimesh për promovimin dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe interesave më të mira të tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Gusht 2020

- Qendra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës organizon Tubimin e parë interaktiv virtual me Kryeministrin e katërt të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar situatën aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe rolin që mund të luajnë shqiptaro-amerikanët dhe shqiptaro-kanadezët në zgjedhjet e ardhshme. (Virtualisht në Zoom:  https://bit.ly/LVVShBAAug9, 13:00)