19 Prill 2024

Në radhët e Policisë së Kosovës janë 15 për qind gra

Prishtinë, 9 mars - Policia e Kosovës së bashku me Shoqatën Ndërkombëtare të Grave në Polici (IAWP), Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës (AWKP), Organizatën për Bashkëpunim të Sigurisë në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë dhe Programin Ndërkombëtar të Trajnimit të Hetimit Penal në SHBA (ICITAP), organizuan Konferencën Ndërkombëtare: "Roli i grave në polici në përgjigje të kërcënimeve trans nacionale".

Konferenca është dy-ditore dhe do të sjellë së bashku gra dhe burra, përfaqësues të forcave ndërkombëtare të policisë nga e gjithë bota, përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare, shoqërinë civile dhe media për të adresuar së bashku rëndësinë e kontributit të grave në paqe dhe siguri.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

"Çka e bën të veçantë këtë ngjarje është fakti që për herë të parë Policia e Kosovës në bashkëpunim me partnerët strategjik, organizon një konferencë që është e para e llojit të vet në regjion."

"Kjo pasqyron një punë të madhe dhe angazhim të secilës zyrtare dhe zyrtari të Policisë së Kosovës që të prezantojnë sa më mirë dhe në mënyrë sa më profesionale punën e tyre", ka theksuar Veliu.     

Sfidat e sigurisë sipas tij janë obligim i ministrisë që të ofroj zgjidhje dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit është përgjigjja e vetme ndaj të gjithë kundërshtuesve të rendit dhe ligjit.

Sundimi i ligjit është prioritet i Qeverisë së Kosovës. "Ne jemi të përkushtuar, me të gjitha kapacitetet në kuadër të MPBAP-së, e me theks të veçantë të Policisë së Kosovës, që me përkushtim dhe vullnet të jemi në nivel të lartë të detyrës dhe të kemi një Kosovë të qetë e të sigurt."

"Trajtimi me dinjitet i Policisë së Kosovës, ngritja dhe avancimi i kapaciteteve njerëzore brenda Policisë së Kosovës është prioritet për ne. Bashkë do të angazhohemi në përmirësimin e kushteve të punës dhe ruajtjen e dinjitetit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës", ka shtuar me tutje Veliu.

Policia e Kosovës ka qenë nismëtare e një procesi të madh që prej vitit 1999, ku në mënyrë të barabartë dhe pa dallim ka filluar rekrutimin e grave në radhët e tyre.

Vullneti dhe gatishmëria e grave kosovare edhe njëherë ka treguar se për to asgjë nuk është e pamundur.

"Sot, në radhët e Policisë së Kosovës, me krenari mund të konstatojmë se kemi 15 % të grave të përfaqësuara në të gjitha nivelet e strukturës policore. E di që është numër i vogël, por mbështesë gra police profesionale dhe të afta për punën e tyre", ka pohuar ministri Veliu.

Gratë sipas tij shpesh qasen dhe zgjidhin problemet nga një kënd tjetër nga homologët e tyre meshkuj. Zyrtarët e Policisë së Kosovës i njohin këto dallime dhe i shohin ato si përbërës thelbësorë të një ekipi të shkëlqyeshëm.

Policia e Kosovës ka në radhët e veta vajzat dhe djemtë më të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Policia e Kosovës, është nga më të mirat në rajon, janë fuqia e shtetit të Kosovës dhe garanca më e mirë e sigurisë, e stabilitetit dhe e qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës.

Veliu ka theksuar me tutje se Policia e Kosovës para vetes ka ende sfida të mëdha. Në mesin e atyre që janë forcimi i luftës kundër të gjitha formave të krimit të organizuar, korrupsionit, ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit, krimeve ekonomike dhe menaxhimi i migrimit, por me vullnetin tuaj dhe me një punë të shkëlqyer e shoh që mund të ia dalim.

"Dhe dua të uroj gratë në Policinë e Kosovës dhe më gjerë, më të mirën në rolet e tyre sot, dhe në të ardhmen, dhe të them faleminderit për të gjitha ato që bëni për të luftuar krimin dhe për të mbajtur njerëzit e këtij vendi të sigurt."

"Vetëm një polici e përgatitur mirë dhe e përkushtuar në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, do të na sigurojë të ndihemi të qetë tani kur jemi të pavarur dhe kemi përgjegjësi për sigurinë e vendit tonë", ka thënë në fund ministri Veliu.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)