22 Janar 2019

Në garën e “Cambrian Patrol”, ekipi i FSK-së fitoi Medaljen e Bronztë

Prishtinë, 22 tetor - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që ka marrë pjesë në garën “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, ku ka fituar Medaljen e Bronztë.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar komandantin Rrahman Rama dhe ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për punën e mrekullueshme që po bëjnë, duke u bërë shembull i mirë për tërë rajonin.

“Gjenerali edhe ekipi i tij, me këta eprorë e ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë shembulli dhe mesazhi më i mirë që po dërgohet, se FSK-ja është e gatshme për përgjegjësi shtesë. Është e gatshme t’i përgjigjet rrethanave dhe situatave të reja të krijuara. I përgëzoj eprorët, togerët, ushtarët e FSK-së dhe komandantin për punën e tyre shumë të mirë, por edhe për suksesin e ri, të shkëlqyer që e kanë arritur ditë më parë me pjesëmarrjen e tyre në garën në Britani, ku kanë marrë pjesë 144 ekipe”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se kjo është një prej garave më prestigjioze në botë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë për herë të dytë.

“Është shumë me rëndësi që këto përvoja po i bartim edhe brendapërbrenda institucionit tonë. Edhe në vitin e kaluar e kemi organizuar një lloj kësi gare, të cilën e kemi quajtur “Shqiponja patrulluese”. Ideja ka qenë që ta bëjmë një test të brendshëm, me qëllim dhe synim që vitin e ardhshëm ta bëjmë vetë një garë që do të jetë ndërkombëtare, me të gjitha ato përvoja që i kemi marrë prej Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë komandant Rama.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka thënë se janë të gatshëm që të marrin përgjegjësi shtesë dhe do të vazhdojnë me kryerjen e obligimeve dhe detyrave që u caktohen me ligj dhe Kushtetutë.

Gara e “Cambrian Patrol” është një ngjarje vjetore e organizuar dhe drejtuar nga Brigada e Këmbësorisë së 160-të dhe Selia e Uellsit, me seli në Brecon të Britanisë së Madhe.

Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit ka marrë pjesë me 11 pjesëtarë në këtë garë ndërkombëtare dhe pavarësisht vështirësive të krijuara nga stuhia “Cullum”, ka arritur ta fitoi Medaljen e Bronztë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2019 - Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Mbahet programi i seminarit përmbyllës i projektit të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejme e arsimit në sigurinë  publike në Kosovë”. (Akademia e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ora 10:00)

- Punëtorët teknik te disa shkollave të Prishtinës protestojnë në shenjë pakënaqësie lidhur me mos rritjen e pagave si dhe neglizhenca e Komunës së Prishtinës për t'i kthyer këta punëtorë nën menaxhim të Komunës sipas ligjit mbi Kryeqytetin e Kosovës. (Para Komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal mban mbledhjen e parë për ketë vit në të cilën do te shqyrtojë Projekt Statutin e Trepçes dhe Raportin e Panelit për zgjedhjen e Bordit të NP KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën 'Pozita dhe problemet e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë'. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Profesori në Universitetin e Kembrixhit, Marc Weller, do të mbajë ligjëratë për studentët e UBT-së me temë “Dialogu Kosovë - Serbi: Sfidat dhe rruga përpara”. (Kampusi i UBT-së, ora 16:00)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë, Daniel Onişor do të paraqesin prioritetet e Presidencës së Rumanisë të Këshillit të Bashkimit Evropian. (Restorant Rroni në Veternik, ora 18:00)