24 Shtator 2018

Ndërrohet komanda në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së

Prishtinë, 13 mars - Në kazermën 'Skënderbeu' të FSK-së në Ferizaj, u zhvillua sot ceremonia e ndërrimit të komandës së Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS).

Komandanti i deritanishëm, gjeneral brigade Enver Cikaqi ia dorëzoi detyrën komandantit të sapoemëruar gjeneral brigade Irfete Spahiu.

Gjeneral brigade Irfete Spahiu është oficerja e parë grua, e graduar në këtë rang, nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe oficerja e parë në detyrën e Komandantit të Brigadës.​

Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, zv. ministri Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i NLAT-it, gjenerali Hofmann, ambasadorja e Turqisë, zonja Kiliq,  komandanti i Kampit Bonstell, gjeneralët e FSK-së, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në Kosovë, përfaqësues të KFOR-it, NALT-it, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së. 

Ceremonia filloi me intonimin  e himnit shtetëror. Më pas u lexua dekret-ligji i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për gradimet dhe emërimin e gjeneral brigade Enver Cikaqi komandant i Komandës së Forcave Tokësore dhe gjeneral brigade Irfete Spahiu komandant i  KDS-së.

Me këtë rast, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, pasi përshëndeti dhe përgëzoi FSK-në, për gradimet dhe të arriturat e përgjithshme të saj tha: “Jam shumë i nderuar që në dorëzim-pranimin e detyrave pas dekretimit të presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, e fillojmë pikërisht me Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes."

"Jo rastësisht është marrë vendimi që ndërrimi të bëhet nga KDS-ja, për vetë faktin se është një rast i veçantë për të gjithë ne, sepse me dekretin e presidentit është dekretuar dhe është graduar një gjeneral femër e cila do të emërohet në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, prandaj është rast i veçantë, është rast historik për FSK-në, për gradimin e gjeneral Irfete Spahiut."

"Arsye e dytë pse kemi filluar këtu është vetë misioni i KDS-së, sepse kjo është gur themel i suksesit jo vetëm i kësaj njësie, por edhe i të gjitha njësive të FSK-së dhe Ministrisë së FSK-së. Ministri Berisha përgëzoi gjeneral Cikaqin për të gjitha të arriturat në krye të këtij institucioni, duke shtuar se “këto sukses na kanë bërë që të ndihemi krenarë dhe të mburremi me të arriturat e KDS-së”.

Në fund, ministri Berisha duke përgëzuar dhe uruar gjeneral brigade Irfete Spahiun, tha: ”Para nesh kemi shumë detyra dhe obligime.  Do të ketë edhe zhvillime të reja, që krahas misionit aktual që ka KDS-ja, duhet të përgatitet edhe për detyrat dhe përgjegjësit shtesë, që do t’i marrim pas vendimit politik për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, para të pranishmëve tha: “ Kjo ceremoni për ndërrimin e komandës së KDS-së  është një ditë e veçantë për mua si komandant i FSK-së. Gjeneral Cikaqi gjatë shërbimit në FSK ka treguar një performancë të jashtëzakonshme si në aspektin profesional edhe në gatishmërinë e tij për ngritjen e kësaj njësie që nga themelimi i FSK-së."

"Si rezultat  i kësaj njësie dhe punës tuaj me trajnime të shumta  bazike apo specialistike, jemi sot këtu. Prioritet imi është qëndrueshmëria e institucionit dhe zhvillimi i mëtejmë i tij, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që trajnimet tona të jenë profesionale dhe të bazuara në standardet e NATO-s, sepse ky është qëllimi dhe synimi ynë, që ne të jemi pjesë në të ardhmen e strukturave Veri- Atlantike dhe pjesë e NATO-s”.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, shtoi më tej se ” FSK-ja ofron mundësi të barabarta për të gjithë oficerët, pa dallim gjinie, race dhe përkatësie etnike”. Duke iu drejtuar gjeneral Spahiut, ai tha:  shpresoj dhe besoj se gjeneral Spahiu, do ta avancojë edhe më tutje këtë njësi për një zhvillim profesional për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, duke marrë për bazë edhe sfidat dhe obligimet e reja shtesë”.

Pas dorëzimit të detyrës tek gjeneral brigade Irfete Spahiu, komandanti i deritashëm i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, falënderoi të gjithë ushtarët, oficerët dhe stafin e lartë dhe atë ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e detyrave të deritashme në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së.

Gjeneral Cikaqi, me këtë rast tha: “ FSK-ja në shtatë vitet e fundit është dëshmuar si institucioni më i besueshëm. Jam shumë i sigurt se ky vlerësim nuk do të vinte pa një nivel të lartë të edukimit dhe përgatitjes profesionale të stafit të saj”. Duke iu drejtuar stafit ushtarak ai tha se ,,për të gjitha këto të arritura jeni të gjithë ju meritorë, unë jam njëri prej jush andaj ndihem krenarë”. Në fund, gjeneral Cikaqi, duke iu drejtuar gjeneral Spahiut, tha: “Unë do të jem avokat i mirë i KDS-së, sepse e di se sa punë të mira bëhen këtu dhe sa të mira i sjellë FSK-së puna e juaj. Urime gjeneral Spahiu në detyrën e re”.

Me medaljen për “Shërbim Vetëmohues” nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama u nderua gjeneral Enver Cikaqi.

Në fund, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneral brigade Enver Cikaqi dhe gjeneral brigade Irfete Spahiu bënë dorëzim-pranimin e Komandës.

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)


- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)