28 Mars 2024

Ndërrohet komanda në Brigadën e Reagimit të Shpejtë të FSK-së në Istog

Istog, 19 mars - Në kazermën "Ushtarët e NATO-s" të Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së në Istog, sot u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës së BRSH-së, nga gjeneral brigade Xhevahir Geci te gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj.
 
Në ceremoninë solemne të pranishëm ishin: ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë të FSK-së, përfaqësues të institucioneve lokale,  Policisë së Kosovës, përfaqësues të KFOR-it, NALT-it, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së. 

Ceremonia filloi me intonimin  e himnit shtetëror. Pas leximit të dekret-ligjit të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për gradimet dhe emërimin e gjeneral brigade Xhevahir Gecit, zv. komandant i Komandës së Forcave Tokësore dhe gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj komandant i  BRSH-së, filloi ceremonia e ndërrimit të komandës së BRSH-së.

Ministri i MFSK-së, z. Rrustem Berisha, me rastin e ndërrimit të komandantit të BRSH-së, ka falënderuar gjeneral brigade Xhevahir Gecin, për punën e bërë në ngritjen dhe avancimin e BRSH-së, ndërsa komandantit të ri, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj i ka uruar detyrën duke shprehur bindjen se gjeneral Hadërgjonaj, do ta avancojë zhvillimin dhe operacionalitetin e BRSH-së.

Ministri Berisha, gjithashtu kërkoi angazhim më të madh në ngritjen profesionale dhe ndryshim të misionit të FSK-së.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, tha se “është nder dhe privilegj, që këtu së bashku, me të gjithë ju, të shënojmë këtë ditë të veçantë të ndërrimit të komandës ndërmjet dy gjeneralëve, gjeneral brigade Xhevahir Gecit dhe gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj.”.

Ai veç tjerash tha: “Pjesëtarët e BRSH-së, kanë marrë pjesë në shumë gara; si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare, ku kanë demonstruar shkathtësi të jashtëzakonshme individuale dhe kolektive duke fituar çmime të ndryshme. Të gjitha këto arritje dëshmojnë edhe njëherë se FSK-ja është forcë profesionale, e aftë, e disiplinuar dhe e gatshme për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale”.

 Komandanti i FSK-së, foli edhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe bashkëpunimin me partnerë.

“Ne do të vazhdojmë t’i avancojmë kapacitetet tona operacionale, në mënyrë që t’u  jemi pranë autoriteteve civile në ndihmë të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë është garanci se ne jemi në rrugë të drejtë të trajnimit sipas standardeve të NATO-s, por edhe të jemi të nderveprueshëm në zhvillimin e  operacioneve të përbashkëta."

"Kemi ende punë për të bërë, na presin sfida në të ardhmen, por besoj se me një përkushtim dhe profesionalizëm të vazhdueshëm sukseset nuk do të mungojnë. Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm duke dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe angazhim në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Në fund, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama ka falënderuar gjeneral Gecin për përkushtimin profesional në menaxhimin dhe drejtimin e BRSH-së, si dhe ka uruar gjeneralin Hadërgjonaj, për detyrën e re, me këto fjalë: ”besoj që me aftësitë e tij komanduese do ta zhvillojë BRSH-në, duke sjellë praktika të reja për të avancuar edhe me shumë këtë njësi”.

Kurse, komandanti i deritashëm i BRSH-së, gjenerali Xhevahir Geci, pos tjerash tha: “Sukseset e BRSH-së, kaluan shumë herë kufijtë e vendit tonë. Flamuri i Kosovës, beretat e zeza dhe simboli me ujk, u bënë të njohura anë e mbanë globit si rezultat i sukseseve të njësive dhe pjesëtarëve tanë gjatë shkollimeve, ashtu edhe në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare”.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka nderuar me medaljen për “Shërbim Vetëmohues” gjeneral brigade Xhevahir Gecin.


Në fund u bë dorëzim-pranimi i detyrës së komandantit të BRSH-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)