20 Prill 2024

MPB ka identifikuar prioritet kryesor për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 7 maj - Sot, në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Grupit Punues për liberalizimin e vizave, ku mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, u.d. i Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, z. Hajzer Salihu dhe përfaqësues të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, pasi u uroi mirëseardhje anëtarëve të Grupit Punues për procesin e liberalizimit të vizave theksoi se “ky është takimi i katërt i Grupit Punues për procesin e liberalizimit të vizave. Dihet që ky Grup është multidisiplinar me përfaqësues nga ministritë dhe agjencitë e ndryshme, por edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian. Është synim i përbashkët që ky proces i përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave të kryhet sa më parë dhe që nga fillimi e kemi identifikuar si prioritet kryesor në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo nuk është vetëm prioritet i Ministrisë së Brendshme, por ndër prioritetet më të larta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pas sundimit të rendit dhe ligjit, procesi i liberalizimit të vizave është tejet i rëndësishëm për Qeverinë dhe për Ministrinë në veçanti, ku pjesa më e madhe e parakushteve për plotësimin e kushteve që të fillojmë me procesin e liberalizimit të vizave i takon kësaj ministrie, por ka edhe shumë ministri të tjera. Realisht edhe vizita e djeshme e Komisionerit për Zgjerim në BE, z. Shtefan Fule me bashkëpunëtorët e tij ishte e dobishme dhe ne i informuam se deri ku është arritur një progres mjaft i mirë në realizimin e kushteve dhe kritereve për liberalizimin e vizave, por edhe të sfidave që na presin. Ata me të drejtë insistuan që t’i angazhojmë të gjitha energjitë në këtë proces, në mënyrë që sa më shpejt t’i plotësojmë kushtet. Secila ministri apo agjenci i ka punët e saj, por në një mënyrë roli koordinues është i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kërkojmë që në çdo ministri sa i përket legjislacionit ku ka nevojë që të rishikohet ndonjë ligj ose pakoja ligjore që është e domosdoshme të plotësohet për procesin e liberalizimit të vizave që të përgatitet sa më parë dhe të shkojë në Qeveri e Parlament me prioritet”.

Duke folur për gadishmërinë e Qeverisë dhe Parlamenti të Kosovës, ministri Rexhepi theksoi se “ekziston gadishmëria e Qeverisë dhe e Parlamentit, që ndryshimet e ligjeve t’i trajtojnë me prioritet të lartë dhe në të gjitha aspektet tjera si çështja e zyrave për regjistrim civil, dokumenteve bazike si ato personale dhe të gjendjes civile. Ne si Ministri do të angazhohemi maksimalisht dhe shumë shpejt që të bëhet edhe një vizitë nëpër komuna së bashku me përfaqësuesit e EULEX-it, për të parë se në çfarë niveli janë zyrat e regjistrimit civil, në mënyrë që ne të fillojmë menjëherë me identifikimin e mangësive që t’i përmbushim sa më parë, në mënyrë që të vazhdojmë me procesin e fillimit të prodhimit të pasaportave biometrike dhe të vazhdojmë me dinamikën ku krahas saj do të bëjmë edhe përmbushjen e të gjitha atyre mangësive që janë identifikuar deri tash. Edhe një herë dëshiroj që t’u inkurajojë, për arsye se kjo nuk është vetëm prioritet i MPB-së, por është prioritet i Qeverisë që i obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë tjera, që ta trajtojnë si prioritetin më të lartë. Bashkëpunimi i ndërsjellë do të jetë jo vetëm në takimet e rregullta, por për çdo çështje dhe nëse ka nevojë edhe në baza ditore ose javore që të këshillohemi, të komunikojmë dhe t’i ndihmojmë njëri-tjetrit në mënyrë që ta shkurtojmë kohën e plotësimit të këtyre kritereve që nganjëherë ka nga pak skepticizëm nga Komisioni Evropian se a do t’ia dalim. Ne kemi premtuar se do të angazhohemi me tërë energjinë tonë dhe jam optimist se me një punë të përkushtuar të të gjthëve, do t’ia dalim që këtë proces ta shkurtojmë dhe të jemi partnerë serioz të Komisionit Evropian”, tha ndër të tjera ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi.

Në vazhdim fjalën e mori z. Besnik Vasolli, koordinator i Grupit për Liberalizimin e Vizave, i cili theksoi se “gjatë muajit të kaluar janë realizuar disa të arritura, si marrëveshja për ripranim në Gjermani, e cila edhe është nënshkruar, pastaj marrëveshjet me shtete të tjera anëtare të BE-së që janë iniciuar dhe presim që gjatë muajve maj-qershor të finalizohen disa nga ato, që është lajm i mirë për Kosovën. Gjithashtu edhe Ligji për Ripranim ka dalë si kërkesë e Komisionit Evropian nga takimi i fundit, i cili është mbajtur në janar të këtij viti dhe që ka kaluar në grupet punuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qeverisë, që është aprovuar në Qeveri dhe tashmë gjendet në Parlamentin e Kosovës. Një kriter tjetër që ka dalë nga takimi i fundit me Komisionin Evropian ishte vlerësimi i mekanizmit për integrimin e personave të riatdhesuar. MPB dhe institucionet tjera, të cilat janë të ndërlidhura me procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar. Është kryer drafti i vlerësimit të atij mekanizmi dhe janë nxjerrë disa rekomandime konkrete se si të procedohet më tutje”, tha ndër të tjera z. Besnik Vasolli, koordinator i Grupit për Liberalizimin e Vizave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)