22 Tetor 2020

Mos veprimi për 21 vite amnisti praktike për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë, 17 shtator - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të enjten, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë”, i cili raport është rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të trajtimit të rasteve të krimeve të luftës.

Gzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD tha se 21 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, krimet e luftës nuk po gjejnë përgjigjen dhe trajtimin që e meritojnë për të zbardhur dhe ndëshkuar kryesit e këtyre veprave penale.

“Gjetjet e këtij raporti konstatojnë se Kosova me mos veprim ka arritur që në mënyrë sistematike të ofrojë amnisti të plotë për kryerësit e veprave penale të krimeve të luftës. Amnistimi i tillë në rastet e krimeve të luftës është bërë si nga misioni i UNMIK-ut, EULEX-it, por edhe prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, amnistim ky i pasuar nga mungesa e vullnetit politik që të hetojë, ndjek dhe gjykojë krimet e luftës në Kosovë."

"Në këtë raport, IKD ka elaboruar masakrat kryesore që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, e të cilat masakra përkujtohen çdo vit nga ana e institucioneve shtetërore dhe akterët politikë në Kosovë, por që deri më sot, kryerësit e këtyre krimeve në këto masakra kanë mbetur të pandëshkuar”.

Sipas Shalës, në Republikën e Kosovës për dallim nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina por edhe Serbia, nuk ekziston një strategji strategji kombëtare për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

Po ashtu, Shala tha se përkundër faktit se shumica më e madhe e viktimave gjatë luftës së fundit në Kosovë i përkasin etnisë shqiptare, paradoksalisht, shumica e të dënuarve për krime lufte në Kosovë i përkasin etnisë shqiptare.

“Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsejtë 13.535 njerëz. Edhe sot mbi 1600 persona konsiderohen të zhdukur. Krahas vrasjeve dhe humbjeve në jetë njerëzore, vlerësohet se janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi dhe janë dëbuar me dhunë nga Kosova më se 1 milion vetë."

"Dëmet e luftës nga ekspertë të fushës kalojnë 22 miliardë euro. Përgjigja e Republikës së Kosovës lidhur me këto krime, përkthehet në këto shifra: Nga tetori i vitit 1999 e deri në qershor të vitit 2020, kanë qenë gjithsej 117 të akuzuar. Nga ky total i numrit të të akuzuarve, 62 prej tyre janë shqiptarë, 49 serbë, 5 malazezë dhe një nga komuniteti RAE. Përderisa, nga 117 të akuzuar, 40 prej tyre janë dënuar për krime lufte nga gjykatat, prej të cilëve 35 shqiptarë, 4 serbë dhe një malazez”, ka përfunduar Shala.

Hulumtuesja e IKD-së, Medina Kadriu, tha se nga viti 1999 deri në vitin 2000, nga prokurorët vendor janë ngritur aktakuza ndaj 29 serbëve, një (1) shqiptari dhe tre (3) malazezëve.

Lidhur me punën e Misionit të UNMIK-ut, hulumtuesja Kadriu, tha se nga viti 2000 e deri në vitin 2008, nga prokurorët e UNMIK-ut janë ngritur aktakuza ndaj tre (3) serbëve, 19 shqiptarëve dhe një (1) malazezi, derisa vetëm një person është dënuar.

“UNMIK i ka kontribuar klimës së mos ndëshkimit të krimeve të luftës, ngase nuk kanë zhvilluar hetime të menjëhershme, e as hetime të pavarura, e të paanshme, dhe si rezultat i kësaj, vetëm një numër i vogël nga personat përgjegjës të krimeve të luftës dhe të krimeve ndër-etnike në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, janë sjellë para drejtësisë në gjykatat ndërkombëtare apo vendore”.

Lidhur me punën e EULEX-it, Kadriu tha se “nga prokurorët e misionit të EULEX-it, nga viti 2009 deri në vitin 2018, janë ngritur aktakuza ndaj 11 serbëve, 39 shqiptarëve, një (1) malazezi, dhe një (1) personi nga komuniteti RAE.

Ndërsa, me aktgjykime dënuese të formës së prerë të shqiptuara nga gjyqtarët e EULEX-it, kanë përfunduar ndaj 38 personave”, duke shtuar se “Misioni i EULEX-it ka dështuar që të vendos si prioritet zgjidhjen e rasteve të mbetura të krimeve të luftës që kishin mbetur të pazgjidhura, si dhe të vendos një bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal, veçmas me Serbinë, që do të kontribuonte në sigurimin e prezencës së dëshmitarëve dhe të akuzuarve për gjykim, si dhe materialit tjetër provues”.

Kadriu po ashtu tha se kompetencat për hetimin e rasteve të krimeve të luftës i kanë kaluar prokurorëve dhe gjyqtarëve vendor në vitin 2014, me përjashtim të “rasteve në proces”, për të cilat ka pasur kompetencë EULEX-it, duke shtuar se bartja e të gjitha kompetencave, ishte bërë në vitin 2018.

Lidhur me punën e PSRK-së, Kadriu tha se kjo prokurori ka ngritur 14 aktakuza për rastet e krimeve të luftës, derisa është evidentuar vetëm (1) rast që ka përfunduar me aktgjykim dënues të formës së prerë.

Mirvet Thaçi, hulumtues në IKD, tha se përkundër faktit se numri më i madh i viktimave i përkasin etnisë shqiptare, numri i të akuzuarve, dhe veçanërisht numri i të dënuarve, shqiptarë është shumë më i madh se numri i të akuzuarve dhe dënuarve serbë.

 “Nga viti 1999 e deri në qershor të vitit 2020 për rastet e krimeve të luftës janë akuzuar gjithsej 117 persona, 62 prej të cilëve të etnisë shqiptare, 49 të etnisë serbe, pesë (5) të etnisë malezeze dhe një (1) nga komuniteti RAE. Ky disbalanc është edhe më i theksuar sa i përket numrit të të dënuarve për rastet e krimeve të luftës. Përkatësisht, gjatë kësaj periudhe kohore janë me aktgjykim të formës së prerë janë dënuar 40 persona, 34 prej të cilëve shqiptare, katër (4) shqiptarë dhe një (1) malazez. Shprehur në përqindje, i bie se nga totali i të dënuarve, 87.5% i përkasin etnisë shqiptare, 10% etnisë serbe dhe 2.5% etnisë malazeze”.

Thaçi po ashtu tha se në një numër të konsiderueshëm të masakrave, si masakra e familjes Jashari, Reçakut, Izbicës, Rezallës dhe tjera nuk kanë marrë përgjigje nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, për masakrat kryesore të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk është dënuar asnjë person.

Po ashtu, Thaçi tha se nga të dhënat e terrenit, janë identifikuar raste të krimeve të luftës, ku familjarët e viktimave nuk janë intervistuar asnjëherë, qoftë nga UNMIK-u, EULEX-i apo PSRK.

Thaçi ka përfunduar se adresa e vetme për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës mbetet PSRK, derisa i ka cilësuar si të paarritshme idenë për themelimin e një tribunali ndërkombëtar nga Republika e Kosovës dhe idenë për zgjerimin e mandatit të Dhomave të Specializuara edhe në raport me krimet e kryera ndaj shqiptarëve.

Në fund të këtij raporti, IKD ka dhënë edhe rekomandime konkrete që lidhen me ngritjen e cilësisë, efikasitetit dhe efektivitetit të hetimit dhe gjykimit të rasteve të krimeve të luftës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2020  - Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 9:30)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën virtuale më temë 'Sa do të ndikojë moratorimumi një vjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?' (Online, ora 10:00)  

 - Admovere organizon promovimin e publikimit 'Të Damkosurit e Ballkanit - Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë'. (Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery te Fontana në Ulpianë, ora 10:00)  

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim deputetët e komunitetit joshumicë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora ‪10:30 - vetëm pamje)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i njofton mediat se nesër do të lansohet data-baza per tregtinë në shërbime. (Ndërtesa e MTI-së, ora 11:00)

- Ministrja e Financave znj.Hykmete Bajrami dhe Auditori i Pergjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani raportojn para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin Vjetor i Auditimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësues të kompanisë “Kërveshi Partneres” dhe përfaqësuesi te OJQ, “Ngritja e Zërit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj - Stublla raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e adaptimit të rrugës për Komunitetin RAE në rrugën “Rexhep Karaqi”. (Prizren, ora 12:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare dhe KOMRA Rrjeti i Pajtimit organizon debatin mbi Politikat e Kujtesës dhe Praktikat e Përkujtimit në Evropën Juglindore. (Debati do të transmetohet direkt në Facebook dhe Youtube kanalin e KOMRA Rrjeti për Pajtim, ora 17:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmitë e Hidajete Pireva, Mjeke, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare-QKMF, Fushë Kosovë, Vlora Maholli, Mjeke, QKMF, Fushë Kosovë dhe Hajrie Hoti, Mjeke, QKMF, Prishtinë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Lëvizja Vetëvendosje!, mban konferencë për media në lidhje me skandalin e vjedhjes së më shumë se 2 milion euro nga Thesari i Shtetit. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 15:00)