07 Dhjetor 2019

Me ndihmën e qytetarëve Policia arreston Tim Deli Kajtazin

Pejë, 3 dhjetor - Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 18 tetor ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar Tim Deli Kajtazi, i cili kërkohej për dy raste për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, një rast për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, një rast për veprën penale “Dhunë në familje” dhe  një rast për veprën penale “ Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”.

Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe dje është bërë arrestimi i tij nga njësitet policore të DRP-Pejë.

I dyshuari i lartcekur është dërguar ne vuajtje dënimi në Qendrën Korrektuese Dubravë.

Rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e tyre do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të Policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore.

Për suksese në parandalimin e krimeve, qytetarët nuk duhet hezituar, duhet të kthehen në Polici pa uniforma dhe vetëm me bashkëpunimin e tyre si në të gjitha vendet e qytetëruara, do të arrijmë të jetojmë në një vend më të sigurt.

Policinë e Kosovës në Rajonin e Pejës e ndihmuan qytetarët dhe falënderojmë të gjithë për besimin dhe shtimin e bashkëpunimit në realizimin e planeve për të mirën e vet qytetarëve dhe vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)