28 Mars 2024

Lufta kundër drogës, prioritet i Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 25 shtator  - Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi, po qëndron në Austri, me ftesë të zëvendësministres së Punëve të Brendshme të Austrisë, znj. Karoline Edtstadler, ku po merr pjesë në konferencën "Luftimi i trafikimit ndërkombëtar i lëndëve narkotike dhe armëve me fokus të veçantë në Aeroporte".

Në këtë konferencë ministri Gashi para të pranishmëve paraqiti sfidat e Republikës së Kosovës sa i përket trafikimit të drogave duke vënë në pah se transporti i drogës përmes rrugës së Ballkanit është reduktuar dukshëm.

Megjithatë, ministri Gashi tha se pavarësisht kësaj "Rruga Ballkanike" mbetet sfidë serioze për autoritetet e zbatimit të ligjit dhe duhet kushtuar kujdes për të parandaluar dhe luftuar trafikimin ndërkufitar të drogës.

“Për të arritur këtë qëllim na nevojitet bashkëpunim sa më i ngushtë si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar”, tha ministri Gashi.

Ministri Gashi theksoi se problemi i trafikimit të substancave narkotike përveç që është problem global, nuk e ka kursyer as shoqërinë kosovare.

“Përfitimet materiale nga tregtia me drogë si dhe varësia nga përdorimi i drogës, bën që shumë individë lehtë shfrytëzohen nga kriminelët dhe organizatat kriminale. Droga e kërcënon shëndetin e të gjithëve, sundimin e ligjit dhe në fund vitalitetin dhe forcën e gjithë shoqërisë”, theksoi ministri Gashi.

Ministri Gashi theksoi se puna e institucioneve të Kosovës në kuadër të këtij projekti, vërteton edhe njëherë rëndësinë e qasjes dhe shkëmbimit të informatave në luftën e përbashkët kundër krimit transnacional, kjo dëshmon rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe organizata tjera të sigurisë.

Ministri Gashi vuri në pah se droga kërcënon seriozisht rininë kosovare e cila pa dyshim është pasuria më e vlefshme që sot ka Republika e Kosovës.

Projekti "Luftimi i trafikimit ndërkombëtar i lëndëve narkotike dhe armëve me fokus të veçantë në Aeroporte" (JIFTdrugs/f_air) është financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Austria me shtetet partnere si: Republika e Kosovës edhe Republika e Çekisë.

Në kuadër të këtij projekti gjatë 18 muajve u bë e mundur të arrestohen 131 persona dhe të konfiskohen 2 ton të lëndëve narkotike nëpër aeroporte.

Ky projekt nga Kosova u realizua përmes Policisë së Kosovës dhe Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)