18 Prill 2024

Kosova zhvendoset edhe më poshtë në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 23 janar - Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perception Index- CPI)  për vitin 2019 e zhvendosin Kosovën edhe më poshtë në radhitjen botërore të publikuar sot nga Transparency International, në kuadër të këtij indeksi.
 
Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës për media të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e “Transparency International” - rrjetit global në luftën kundër korrupsionit.
                                
Me këtë rast Arben Kelmendi nga KDI, theksoi se sikurse edhe në vitet e kaluara edhe sivjet, Transparency International (TI) ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili përdor një metodologji të sofistikuar dhe informatat nga raportet e organizata kredibile ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.
 
Kelmendi njoftoi se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Danimarka vazhdon të radhitet e para edhe këtë vit me një pikë më pak se vitine kaluar (87 pikë) sa ka edhe Zelanda e Re. Vendin e tretë e mban Finlanda me 86 pikë pasuar nga , Singapori, Suedia dhe Zvicrra me 85 pikë.
 
Kurse Florent Spahija nga KDI, deklaroi se Kosova me 36 pikë sivjet ka humbur edhe një pikë në sistemin e vlerësimit të CPI (nga 37 sa kishte më 2018 në 36 pikë) dhe si rrjedhojë ka rënë nga pozita e 93-të në atë të 101-të.

“Këtë pozitë Kosova e ndanë me Bosnjën, Panamanë, Perunë dhe Tajlandën. Me 36 pikë Kosova largohet edhe më tej nga mesatarja globale prej 43 pikësh, përderisa mesatarja evropiane shënon rritje në 66 pikë."

"Rankimi i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare”, ka shtuar ai.
 
Sipas Spahisë, një gjetje tjetër interesante nga krahasimi i rezultateve për vendet e rajonit tregon se i tërë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe asnjë nga shtetet e rajonit nuk ka shënuar ngritje në krahasim me vitin e kaluar. Kapja e shtetit përbën njërën prej pengesave kryesore në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e drejtësisë.
 
Sipas KDI, Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim:
 
Pavarësinë e sistemit të drejtësisë. -ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit po minojnë pavarësinë dhe punën profesionale të drejtësisë kosovare.
 
Luftën kundër korrupsionit -Përkundër ndryshimeve të fundit të legjislacionit, krijimit të grupeve punese dhe mekanizmave përcjellës për krimet e nivelit të lartë të korrupsionit luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet njëra nga sfidat kryesore të shoqërisë kosovare.

Institucionet vendore nuk duhet të vetëmjaftohen nga sinjalet pozitive të institucioneve të BE-së për progresin e shënuar në këtë fushë. Të gjitha hulumtimet serioze flasin për nivele të larta të nepotizmit, punësimit në baza partiake, emërimeve politike në borde të ndërmarrjeve publike etj.
 
Në fushën e prokurimit publik kërkohet ngritja e transparencës në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit, hapja e kontratave (kontratat për autostradat: “Ibrahim Rugova”, “Arbën Xhaferi” si dhe ajo e Gjilanit), menaxhimi i mirëfilltë i kontratave publike dhe ngritja e nivelit të llogaridhënies së zyrtarëve publik”, ka shtuar Kelmendi.
 
KDI, si pjesë e Transparency International, çdo herë bënë thirrje për një shoqëri të hapur e transparente dhe beson në një Kosovë ku qeveria, sektori afarist, shoqëria civile dhe qytetarët do të lirohen nga korrupsioni. Të gjithë qytetarët që kanë raste të korrupsionit mund ti raportojnë në KDI në numrin pa pagesë 0800 77777.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)