19 Prill 2024

Kosova përmirësohet në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit

Prishtinë, 20 prill - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i dytë për prezantimin e  Udhërrëfyesit për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për posedimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor, brenda vitit 2025.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Takimin e hapi Koordinatori Kombëtar për Armë të Vogla dhe Lehta, njëherazi zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka.

Në këtë takim, zëvendësministri Zeka, vuri në dukje se për përmbushjen e plotë të objektivave që dalin  nga Strategjia  e AVL-së, por edhe nga Udhërrëfyesi, për në të ardhmen do të na duhet përkrahja e vazhdueshme e partnerëve tanë, siç janë: SEESAC, UNDP etj..

“Ne synojmë që përmes projekteve konkrete të vazhdojmë të marrim përkrahjen e mëtejme në drejtim të realizimit  të qëllimeve të përbashkëta, kontrollin e AVL-së dhe minimizimin e rrezikut për qytetarët tanë nga përdorimi i armëve, respektivisht krijimin e ambientit të sigurt për qytetarët tanë”, theksoi zëvendësministri Zeka.

Duke folur për raportin e fundit të progresit, zëvendësministri Zeka, tha se të arriturat e Kosovës vlerësohen. Sa i përket trafikimit të armëve, Kosova ka miratuar dhe po zbaton Strategjinë e saj për armët e vogla, armët e lehta dhe kontrollin e eksplozivit 2017 -2021.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka një bazë të dhënash në të cilën regjistron të gjitha armët e importuara në Kosovë, me ç ‘rast, shënohen menjëherë pas mbërritjes."

"Ligji për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe materialeve shpërthyese u miratua në mars të 2017-së.”, tha zëvendësministri Zeka.

Ai tha se Kosova po merr pjesë në zbatimin e Planit të Veprimit për trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit në mes të BE-së dhe rajonit të Evropës Juglindore ( 2015-2019), dhe se vendi ynë është përmirësuar ndjeshëm në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, jo vetëm nëpërmjet hetimeve normale, por edhe përmes punës së balistikes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)