27 Shtator 2021

Kosova është partnere e qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit

Prishtinë, 28 qershor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, po merr pjesë sot në takimin e Koalicionit Global Kundër Daesh (ISIS/ISIL), që po zhvillohet në Romë të Italisë, në prani të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken; nikoqirit të takimit, ministrit të Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio; sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg; përfaqësuesit të Lartë të BE-së, z. Josep Borell, si dhe zëvendëskryeministrave dhe ministrave nga e gjithë bota.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gërvalla ka theksuar para homologëve të saj dhe përfaqësuesve diplomatik nga e gjithë bota, se Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të suksseshëm në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe është partnere e qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit global.

Gërvalla ka nisur fjalimin e saj duke kthyer në vëmendjen e të pranishmëve faktin që shtetësia e Kosovës erdhi pas përjetimit të luftës dhe gjenocidit kundër popullatës civile, e cila u shpëtua vetëm falë një koalicioni të kombeve të civilizuara. Ajo theksoi që ky fakt është i rrënjosur thellë në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.

“Si një vend i vogël me vetëm 1.9 milion banorë, jemi krenarë që jemi një partner i qëndrueshëm në këtë koalicion global. Kosova është një vend me një popullsi kryesisht myslimane. Por harmonia dhe toleranca jonë ndërfetare janë pjesë e identitetit tonë që prej shekujsh. Të shohësh një kishë dhe një xhami që ndajnë të njëjtin oborr, në Kosovë nuk është asgjë e jashtëzakonshme”.

Marrë në konsideratë këtë trashëgimi, Gërvalla ka thënë se kur disa shtetas të Kosovës kishin nisur t’i bashkoheshin ISIS-it, institucionet e vendit kishin reaguar menjëherë. Ajo ka shpjeguar masat e ndërmarra për t’i mbajtur përgjegjës ata që kishin kryer krime në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë ka theksuar edhe përkushtimin institucional për të riintegruar të gjithë të kthyerit.

“Jemi duke u përkujdesur posaçërisht për gratë dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në një jetë normale, të shpresojmë, edhe një të ardhme të lumtur për ta. Ne jo vetëm që kemi arritur t’i kthejmë fëmijët në shkolla, por ofrojmë gjithashtu mbështetje edhe psikologjike për ta dhe për nënat e tyre.

Për më tepër kemi krijuar programe për de-radikalizim, në të cilat përfshihen madje edhe personat që ndodhen në arrest”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar gjithashtu kontributin përmes prezencës së trupave kosovare në këtë koalicion. “Jemi shumë krenarë të kontribuojmë në këtë koalicion që nga ky vit me një numër simbolik të trupave tona. Falënderojmë Kuvajtin për mikpritjen dhe trupat amerikane për mbështetjen e ofruar për ushtarët tanë të guximshëm, si në rrafshin profesional ashtu edhe në atë personal”, ka shtuar ndër të tjera Gërvalla.

Gërvalla ka siguruar që Kosova do të mbetet një partner serioz i koalicionit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Shtator 2021

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë. (Sheshi "Skënderbeu", ora 8:50 - Mediet të jenë të pranishme më së largu, ora 8:10)

- Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021-22 kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në përurimin e rekuizitave të sallës së edukatës fizike në shkollën "Dëshmorët e Kabashit" në Korishë. (Korishë, ora 9:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në zbulimin e emrit të ri të shkollës "Lekë Dukagjini" në "Gani Saramati". (Objekti i shkollës, ora 9:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20 - Mediat e akredituara duhet të jenë më së largu në ora 10:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mban dëgjim publik lidhur me projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në zbulimin e emrit të ri të shkollës "Abdyl Frashëri" në "Rexhep Hyseni". (Objekti i shkollës, ora 10:15)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në përurimin e rekuizitave të sallës së edukatës fizike në shkollën "Dëshmorët e Zhurit" në Zhur. (Zhur, ora 11:15)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës . (Ndërtesa e KQZ-së, ora 11:30) 

- Konstituohet Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kuvendi i Sociologjisë në kuadër të Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës organizon promovimin e librit të Gëzim Selacit, "Legjitimiteti politik në Kosovë". (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në përurimin e rekuizitave ndërtimit të shkollës së re “Zef Lush Marku” në Velezhë. (Velezhë, ora 12:00)

- Drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Sevil Liman Kazaz do të bëjë prezantimin e raportit të punës 4 vjeçar të kësaj drejtorie. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, ora 14:00)