23 Janar 2019

Kosova është me fat që ka lidhje speciale me NATO-n

Prishtinë, 12 qershor - "Kosova është një vend i vogël dhe është me fat që ka këtë lidhje speciale me NATO" kështu tha kryeministri  i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj pasi priti në takim ndihmës asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, me të cilin bisedoi për rolin e Kosovës në krijimin e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë që ka me të gjitha shtetet veç e veç.

Kryeministri Haradinaj falënderoi NATO-n për rolin e saj të pazëvendësueshëm në Kosovë.

"Falë intervenimit dhe prezencës së NATO-s vendi ynë jeton i lirë dhe në paqe. Kosova është e vendosur që ky mision ta vazhdojë prezencën në vend dhe që kjo prezencë të jetë e përhershme" tha Kryeministri Haradinaj duke shprehur dëshirën e Kosovës që të jetë pjesë e NATOS-s, për të dhënë kontributin tonë për paqen në botë.

"Republika e Kosovës është përcaktuar me kohë në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë nuk ka alternativë. Prandaj, aspirata e Kosovës për tu bërë pjesë e NATO-s, është përcaktim jo vetëm i institucioneve, por edhe i të gjithë qytetarëve të Republikës sonë", tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj, duke falënderuar ndihmës asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza për kontributin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, tha se roli i tyre në krijimin e sigurisë dhe të paqes, si dhe trajnimet e ofruara për forcën tonë të sigurisë, janë të domosdoshme edhe më tutje.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e informoi z.Manza për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale dhe multietnike, në të cilën janë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovës.

Kryeministri Haradinaj përmendi gjithashtu faktin se Kosova nga konsumuese e sigurisë, tanimë është shndërruar në kontribuuese aktive për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Ndërkaq, ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, tha se NATO edhe më tutje do të vazhdojë të jetë e pranishme për ofrimin e sigurisë dhe të paqes në vend.

 

 
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019 - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)