20 Prill 2019

Kosova ballafaqohet me manipulime të listave të veteraneve invalidëve dhe viktima të dhunës seksuale

Prishtinë, 19 mars - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ)  vlerëson se në Kosovën e pasluftës shumë është manipuluar me numra; sa për shkaqe politike dhe elektorale aq edhe për qëllime të përfitimeve materiale.

KMDLNJ thekson se është manipuluar me numrin e të burgosurve, me numrin e personave që konsiderohen të zhdukur, me invalidë të luftës, me veteranë të luftës, me të vrarë e sidomos është manipuluar me numrin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pas përfundimit të luftës ka qenë e vështirë të përpilohet një listë e saktë me të burgosur apo që janë marrë peng (si robër lufte) nga Serbia e që janë mbajtur në paraburgim.

"Vetëm kur kanë filluar proceset gjyqësore ka filluar të bëhen publike këto lista. Lista e personave të zhdukur i është nënshtruar shtrembërimeve të ndryshme për faktin se as Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nuk ka pasur lista të sakta, as për të burgosurit e as për të zhdukurit ndonëse ka mandat t’i vizitojë dhe kërkojë informata nga të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi apo që mund të sigurojnë informata."

"Lista e invalidëve të luftës ka qenë listë abuzive dhe përfitues kanë qenë edhe personat që nuk kanë pasur asnjë lidhje me luftën e lëre më që kanë pasur dëmtime fizike apo të tjera në luftë."

"Lista e veteranëve të ish UÇK –së është bërë pjesë e antologjisë së mashtrimit, shpërdorimit flagrant, materialisht shumë të kushtueshëm, moralisht në kundërshtim me të gjitha vlerat morale qofshin ato edhe minimale dhe shembull shumë i keq i abuzimit me pushtetet dhe me luftën çlirimtare", thekson KMDLNj.

Kategoria me të cilën është abuzuar skajshmërisht që nga koha kur ka pasur kundërshtim me njohjen e statusit e deri më sot sipas KMDLNJ-se janë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Pa asnjë dëshmi apo listë të mbështetur në fakte është spekuluar me listën prej 20,000 viktimave të dhunës seksuale e që është keq – përdorur dhe po keqpërdoret edhe  nga politika ashtu edhe nga sektori joqeveritar.

KMDLNj, që nga fillimi e ka kundërshtuar këtë shifër për faktin se e ka konsideruar këtë numër si paragjykues dhe spekulativ, pa pasur mbështetje në prova materiale.

Pas një “lufte” dhe lobimi të gjatë , me Ligj është rregulluar çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për këtë është formuar Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë luftës, Komision në të cilin bëjnë pjesë edhe OJQ-të nga shoqëria civile përkatësisht organizatat që janë angazhuar më shumë dhe që kanë ekspertë në këtë fushë e që për model kanë rastet e vendeve të tjera, gjithnjë duke përshtatur me kushtet specifike në Kosovë.

Kur flisni për një shifër të mundshme prej 20,000 të viktimave të dhunës seksuale, atëherë edhe pritjet janë të mëdha prandaj numri i atyre që kanë aplikuar për njohje të statusit është në shpërputhje të madhe me numrin hipotetik prej 20,000 viktimave. Sidomos është në shpërputhje të madhe numri i atyre që iu është njohur ky status.

Kohëve të fundit Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale i është nënshtruar një kritike, sipas KMDLNj-së të paarsyeshme dhe të pambështetur në fakte, që nga komisionet përkatëse parlamentare e deri te OJQ-të që edhe vet janë pjesë e Komisionit.

Verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është një proces shumë i rëndë, shumë i ndërlikuar prandaj edhe vështirësitë janë normale. Të ballafaquar me fryerjen e madhe të listës së veteranëve të ish UÇK-së, ky Komision ka përgjegjësi shtesë të mos lejojë riciklimin e këtyre mashtrimeve dhe në listën e përfituesve të statusit të viktimës.

Komisioni Qeveritar (mikst) bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore dhe OJQ-të e që mund të ndihmojnë punën e këtij Komisioni.

KMDLNj , krejtësisht në baza vullnetare dhe mbështetur në faktet që i ka bënë përpjekje të kontribuojë në mbarëvajtjen e punës së këtij Komisioni.

Personat që aplikojnë për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale janë pjesa më e ndjeshme dhe më e margjinalizuar e shoqërisë kosovare andaj edhe qasja ndaj tyre duhet të jetë shumë e kujdesshme për të penguar riviktimizimin e tyre.

Sipas KMDLNj-së , nëse merren parasysh përvojat e vendeve të rajonit , Komisioni ka bërë punë të mirë për faktin se i ka trajtuar të gjitha rastet që kanë pasur fakte ndërsa , nëse ndonjë rast është vonuar apo është në procedurë është se janë kërkuar dëshmi shtesë që janë në favor të atyre që kërkojnë njohjen e statusit.

Të gjithë ata që iu është refuzuar statusi i viktimës së dhunë seksuale kanë mundësi ankimimi kurse të gjithë ata që kanë manipuluar me fakte apo kanë ofruar dëshmi të rrejshme janë subjekt i hetimit nga Prokuroria e Shtetit.

Prandaj, KMDLNj ka një kërkesë publike për ata që kritikojnë vend dhe pa vend Komisionin (mikst) Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e  Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ku ka vend për kritikën – kritikoni, por është më mire dhe më e dobishme që të kontribuoni – ndihmoni.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 prill 2019

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media! (Selia e Vetëndosje, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri mban konferencë për media. (Press Qendra në Ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit, ora 10:00)

- Alternativa mban konferencën e radhës të partisë në të cilën prezanton të gjetura dhe rekomandime për gjendjen mjedisore në Kosovë. (Zyret e partisë Alternativa. ora 10:00) 

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Brigadës 136 Rugova, që organizohet nën patronatin e kryeministrit. (Teatri “Istref Begolli” në Pejë, ora 11:00)

- Biznesi anëtarë në Odën e Afarizmit të Kosovës “Altera”, bën promovimin e librit të autorit Bashmir Xhemaj, “Një shqiptar në CIA - dy jetët e Destan Berishës”. (Libraria Altera në Prizren, ora 13:00)

- Shoqata Atlantiku mbanë konferencë përmbyllëse për media në të cilën përfaqësuesi i shoqatës Gani Shehu, do të pasqyrojë ngjarjet që kanë shënuar 20-vjetorin e ‘Batalionit Atlantiku’, mesazhin kyç dhe vizionin për angazhimet në të ardhmen. (Hotel Grand, ora 14:00)