04 Qershor 2020

Korrupsioni në Kosovë rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare

Prishtinë 14 shkurt - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar sot raportin “Dialogu Kosovë-Serbi: shqyrtimi i perceptimeve të të anketuarve” sipas gjetjeve të Barometrit Kosovar të Sigurisë i realizuar gjatë muajit tetor të vitit 2019, në Kosovë.

Raporti analizon perceptimet publike në Kosovës lidhur me kërcënimet kryesore ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës, çështjet që lidhen me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe mendimet e të anketuarve rreth shteteve të Ballkanit Perëndimor, shteteve evropiane dhe fuqive globale që kanë ndikim mbi politikën e jashtme të Kosovës.

Në këtë mënyrë, sipas qytetarëve të Kosovës që janë anketuar, korrupsioni në Kosovë perceptohet si rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare të shtetit të Kosovës. Shumica dërmuese e të anketuarve ose 91.41 përqind e tyre e perceptojnë korrupsionin si rrezikun më të madh të brendshëm në Kosovë. 

Ndërsa, papunësia (90.98 përqind) renditet në vendin e dytë dhe krimi i organizuar (89.31 përqind) renditet në vendin e tretë gjegjësisht si rreziqe ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.

Lidhur me cështjet e shumëpërfolura e që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi, më saktësisht ndarja e Kosovës ose shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (78.48 përqind) dhe autonomia territoriale/Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë (64.61 përqind) perceptohen nga të anketuarit si rreziqe të nivelit të lartë ndaj sigurisë kombëtare.

Megjithatë, shumica e të anketuarve janë shprehur në favor të vazhdimit të dialogut, përkatësisht pothuajse 50 përqind e të anketuarve deklaruan se dialogu duhet të vazhdojë.

Ndërkaq, 21 përqind e të anketuarve janë shprehur se dialogu duhet të kushtëzohet me njohje nga Serbia të pavarësisë së Kosovës dhe të krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. Përkundër kësaj, pothuajse 15 përqind e të anketuarve shprehën mendimin se dialogu nuk duhet të vazhdojë.

Sa i përket tarifave doganore të Kosovës ndaj Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, të anketuarit shprehën qëndrime të ndryshme nëse taksa duhet të mbetet në fuqi ose nëse duhet të aplikohen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Perceptimi i 35.32 përqind të të anketuarve është se tarifat duhet të mbeten në fuqi, ndërsa 32,97 përqind e të anketuarve shprehën mendimin se tarifat duhet të zëvendësohen me aplikimin e masave të reciprocitetit të plotë të Kosovës ndaj Serbisë.

Përkundër kësaj, rreth 22 përqind e të anketuarve thanë se tarifat ndaj Serbisë duhet të hiqen nga Qeveria e Kosovës.

Të pyetur nëse tarifat doganore kanë dobësuar marrëdheniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtare, të anketuarit kanë shprehur pikëpamje të ndryshme.

Për më tepër, rreth 33.47 përqind e të anketuarve nuk pajtohen që tarifat zbehën marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Sidoqoftë, rreth 30.28 përqind e tyre deri diku pajtohen dhe 27.33 përqind të tjera pajtohen se tarifat doganore të Kosovës ndaj Serbisë kanë dobësuar raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas shumicës dërmuese të të anketuarve, Gjermania (79.85 përqind), Shtetet e Bashkuara (78.60 përqind), Shqipëria (69.69 përqind) dhe Mbretëria e Bashkuar (62.85 përqind) janë shtetet më miqësore të Kosovës dhe renditen si aleatët dhe partnerët më strategjikë të Kosovës.

Ndërsa, Serbia konsiderohet si shteti me ndikimin më të dëmshëm ndaj Kosovës nga 89.86 përqind e të anketuarve, e ndjekur nga Rusia (81.35 përqind) dhe Kina (59.61 përqind).

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020

- Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)
   
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
   
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)