11 Gusht 2020

KOMF: Të zbatohen të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Prishtinë, 3 dhjetor - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, u bën thirrje institucioneve të garantojnë mbrojtjen, gjithëpërfshirjen dhe realizimin e të drejtave për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë jetojnë në gjendje të rëndë dhe nuk i gëzojnë të drejtat e tyre për edukim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Llogaritet që vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, sociale dhe arsimore.

Nga 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 5,300 vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë. Ndërkaq, 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara kanë mbetur jashtë shkollave. Mësimdhënësit ende nuk pajisen me trajnime dhe resurse të nevojshme për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim, në mënyrë të vazhdueshme. Rekomandohet të rritet numri i specialistëve të trajnuar dhe të kualifikuar brenda sistemit arsimor me qëllim të integrimit efektiv të fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucione shkollore.

Cilësia e shërbimeve shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk është në nivelin e duhur. Sistemi shëndetësor çalon në ofrimin e barnave esenciale që janë të domosdoshme për fëmijët, furnizimeve dhe pajisjeve ndihmëse për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ministria e Shëndetësisë dhe komunat duhet të sigurojnë shërbime shëndetësore cilësore, barna esenciale dhe pajisje ndihmëse për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ligji për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, vazhdon të mos garantojë mbrojtje gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, pasi njeh të drejtën për kompensim material vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara të përhershme. Si i tillë ai bën diskriminim dhe nuk mbulon fëmijët me aftësi të kufizuara të përkohshme dhe as fëmijët me aftësi të kufizuara të pjesshme. Ky Ligj duhet të ndryshohet dhe të siguroj mbrojtje gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuar të pjesshme.

Fëmijët me aftësi të kufizuar në Kosovë, përballen me mungesën e shërbimeve sociale. Në nivel komunal, shërbimet sociale në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara janë shumë të kufizuara. Në disa komuna, shërbimet sociale po ofrohen nga qendrat e kujdesit ditor (të administruara nga OJQ-të), por shërbimet e tilla kanë mbetur kryesisht nën mbështetjen e agjencive dhe donatorëve të huaj, ndërkohë që mbështetja shtetërore nuk është e strukturuar, nuk është e qëndrueshme dhe në të njëjtën kohë mbetet shumë e kufizuar. Bazuar në mandatin e tyre ligjor, komunat duhet të ofrojnë shërbime sociale të bazuara në komunitet për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, prindërit që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë informacion të limituar për edukimin e tyre. Edukimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara varet kryesisht nga kapacitetet, aftësitë dhe njohuritë e prindërve, të cilët përballen me sfida të shumta. Prindërve u mungon informacioni dhe udhëzimet specifike se çfarë mund të bëjnë për të siguruar shfrytëzimin e potencialit të plotë të fëmijës së tyre. Mbështetja për prindërit si dhe komunikimi me grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara është i dobët, i fragmentuar dhe kryesisht i limituar vetëm në iniciativat e shoqërisë civile.

Në mungesë të shërbimeve të përshtatshme dhe të duhura në komunitet, shumë familje ndjehen të paafta për të mbështetur zhvillimin psikosocial të fëmijës së tyre, rehabilitimin fizik në shtëpi dhe përfshirjen në shkolla dhe komunitet.

Edhe transporti është njëra ndër sfidat kryesore për familjet dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, duke qenë se udhëtimi në një komunë apo vend tjetër për të marrur shërbimin e rehabilitimit, është i vështirë ose në raste edhe i pamundur. Në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të gëzojnë një jetë të plotë dhe të dinjitetshme, është qenësore qasja në shërbime të ofruara nga specialistë si psikiatër, psikologë, logopedë dhe fizioterapistë.

Barrierat fizike për për qasje në shërbime, janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Ekzistojnë institucione publike, duke përfshirë shkolla, gjykata dhe Qendra për Punë Sociale që nuk kanë ashensorë, pjerrina dhe pajisjet ndihmëse të nevojshme që do të lehtësonin qasjen në shërbime për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara. Institucionet duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të larguar barrierat për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .