21 Gusht 2019

KOMF kërkon përgjegjësi nga shteti rreth vdekjes së fëmijës në Fushë Kosovë

Prishtinë, 17 korrik - Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka mbajtur një konferencë për media ku ka reaguar dhe shprehur shqetësimin lidhur me rastin e fundit të vdekjes së fëmijës e gjithashtu për situatën e rëndë të fëmijëve në situatë rruge.

KOMF kërkon veprime të menjëhershme nga prokuroria për zbardhjen e rastit të vdekjes së fëmijës. Sipas informacioneve të policisë, fëmija ka pasur shenja dhune. Poashtu sipas informacioneve të publikuara nga mediat, raporti i autopsisë i bërë në trupin e 11-vjeçarit ka vërtetuar se viktima është dhunuar seksualisht tri herë nga i njëjti person si dhe plaga e dhunimit ishte e freskët. KOMF ka kërkuar të ketë qasje në raportin e autopsisë, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore iu është përgjigjur KOMF që raporti i autopsisë për rastin në fjalë është në kompletim e sipër (në pritje të analizave) dhe pas kompletimit i dorëzohet prokurorit të rastit.

Bazuar në deklaratën e nënës së viktimës por edhe shkrimeve të publikuara në media, del që rasti është raportuar në polici për abuzim seksual në datën 29 janar 2019 dhe tek pas 3 muajve më datë 15 prill 2019, është parashtruar kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe i njëjti rast ishte proceduar në prokurori. Ndërsa prokuroria nuk kishte ngritur aktakuzë për këtë rast dhe personi për të cilin familja po pretendonte që ishte kryerësi kishte mbetur i lirë.

Për këtë arsye, KOMF ka dërguar kërkesa zyrtare tek: Policia e Kosovës, Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të parë cili ka qenë reagimi institucional për mbrojtjen e jetës dhe integritetit të fëmijës dhe ndëshkimin e kryerësit. Mbetet shqetësues fakti që Policia e Kosovës nuk iu është përgjigjur KOMF deri në këtë moment që po flasim, përderisa prokuroria ka theksuar që janë në fazën e hetimeve dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japin më shumë informacione. Ndërkaq, Qendra për Punë Sociale i është përgjigjur KOMF duke dhënë informacionin për shërbimet e ofruara për këtë rast.

Duke pas parasysh ndjeshmërinë e rasteve të cilat prekin fëmijët por edhe ndjeshmërinë e veprave penale kundër trupit dhe integritetit seksual, rasti i tillë do duhej të trajtohej me prioritet të lartë  dhe me urgjencë nga policia dhe prokuroria në mënyrë që të mbrohej jeta, mirëqenia dhe integriteti i fëmijës. Me këtë rast, KOMF kërkon nga Inspektoriati i Policisë të hetojë këtë rast për të vërtetuar nëse ka pasur neglizhencë nga organet e ndjekjes. 

KOMF kërkon përgjegjësi dhe veprime të menjëhershme për gjendjen e rëndë në të cilën shteti dhe institucionet vazhdojnë t’i lënë fëmijët në situatë rruge, të përfshirë në punë të rënda, duke u përballur me rreziqet e shumta përfshirë abuzimin seksual, trafikimin dhe vrasjen. Nëse situata vazhdon të mbetet e tillë, edhe shumë fëmijë të tjerë në situatë rruge do të përballen me të njëjtën fatkeqësi. KOMF bën me dije që vetëm brenda katër ditëve (gjatë 4, 5, 6 dhe 11 qershor 2018), në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit janë vëzhguar dhe numëruar 153 fëmijë në situatë rruge. Fëmijët ishin duke kryer punë të rënda sikurse kërkim lëmoshë, riciklim dhe shitje të gjësendeve. Vëzhgimi dhe intervistimi është realizuar nga staf i trajnuar nga Terre des hommes (anëtare në KOMF) në bashkëpunim me punëtor social.

Fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten edhe përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.

Aktualisht, nuk ka shërbime të veçanta që komunat duhet të ofrojnë për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit.

Rekomandohet që komunat të themelojnë ekipet mobile për identifikim dhe trajtim si dhe qendrat ditore për fëmijët e përfshirë në punë të rënda, për të mundësuar trajtimin, mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e fëmijëve në situatë rruge të shfrytëzuar për punë të rënda.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 gusht 2019 - Vazhdon greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”. (Aeroporti i Prishtinës, ora 8:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale Fejzë Kabashi do të vizitojnë disa shtëpi të cilat po ndërtohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore”. (Lagjja “Bajram Curri” e më pas do të vizitohen edhe disa shtëpi në fshatin Zhur. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:45)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet punëtoria kreative dhe instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit për rregullimin e objektit Mulitifunksional Inovativ në Shtime. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme kati i 3-të, ora 10:00)

- Mbahet mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala miraton draft raportin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pret në vizitë  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi. (Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit, ora 11:00)

- Fillojnë punimet në rrugën Budisalc-Zllakuqan i Klinës. (Pranë përmendores së Kolë Mirditës në Zllakuqan, ora 11:00)

- Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari. (Salla e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, ora 11:30)

-  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Muhedin Nushi do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi vëjn gurethemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. (Gllogjan, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi inspektojn punimet në objektin përcjellës të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Isniq. (Isniq, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.49. në të cilën janë 132 asete. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 60 studentësh të programit Akademia Verore, nga shtete të ndryshme të botës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:30)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet zona e debatit për shtëpin tradicionale dhe familjen e madhe shqiptare. (Shtëpia e vjetër në Fshatin Kukaj, ora 17:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e e rajonit të Zhupës dhe Podgorës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Reçanë, ora 19:00)