28 Mars 2024

KFOR sot shënon përvjetorin e 21-të

Prishtinë, 12 qershor - Në orët e para të 12 qershorit 1999, kontingjentet nga shumë shtete hynë në Kosovë nën shenjën e KFOR-it dhe filluan misionin e udhëhequr nga NATO-ja, që sot shënon përvjetorin e 21-të.

Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe zhvillimit, gjithashtu falë kontributit të KFOR-it për mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre.

Përmirësimi dramatik i sigurisë në terren ka çuar në zvogëlim progresiv të KFOR-it nga 55,000 trupa sa ishin në vitin 1999 në rreth 3.500 trupa tani. Ushtarët nga njëzet e shtatë shtete nën komandën e Gjeneralmajorit Italian Michele Risi përbëjnë një forcë të fortë, të besueshme dhe parandaluese të cilët e shfaqin të njëjtën frymë, angazhim dhe entuziazëm sikurse pararendësit e tyre.

Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar ndërsa KFOR-i mbetet një faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e Kosovës dhe për sigurinë rajonale.

“Besoj fuqishëm se situata stabile nga perspektiva e sigurisë është kusht i domosdoshëm për dialog dhe për bashkëpunim."

"KFOR-i do të vazhdojë ta japë kontributin e tij për ta kapërcyer situatën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për gjeneratat më të reja të Kosovës”, deklaroi gjeneral Risi me rastin e përvjetorit të KFOR-it.

KFOR-i gjithashtu e përkrahu reagimin ndaj pandemisë COVID-19 në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe dhurimin e sasive të konsiderueshme të pajisjeve për mbrojtje personale dhe ndihmën me dërgesat e përkrahjes dypalëshe nga shtetet aleate që kontribuojnë me trupa në KFOR, si për shembull, Austria, Italia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, për shumë komuna kosovare.

Aftësia e KFOR-it për të kryer operacione në baza ditore nuk është zvogëluar nga virusi, trupat kanë vazhduar patrullimin dhe ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese kanë vazhduar me realizimin e aktiviteteve të tyre, duke i ndërmarrë të gjitha masat parandaluese në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)