26 Prill 2024

KFOR-i përkrahë EULEX-in në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 23 maj – Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, ka deklaruar se e përkrah fuqishëm, e madje edhe është duke e ndihmuar EULEX-in në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne nuk jemi EULEX-i dhe EULEX-i nuk është KFOR, mirëpo kur EULEX-i është në lëvizje në drejtim të vendosjes së rendit dhe të ligjit dhe bën punën që duhet të bëjë, KFOR-i ka për ta përkrahur dhe do ta përkrahë me të gjitha mundësitë që ka”, ka deklaruar Bentler të shtunën në një takim me gazetarë.

Burime të gazetës brenda KFOR-it kanë bërë të ditur gjithashtu se KFOR-i është duke e ndihmuar Prokurorinë e EULEX-it edhe me informacione për hetimet kundër korrupsionit, informacione këto të mbledhura nga inteligjenca e KFOR-it për rastin Limaj. Por komandanti i KFOR-it, Bentler, ka refuzuar të tregoj se çfarë ndihme konkrete është duke i dhënë EULEX-it, sepse këtë e ka quajtur çështje operacionale.

“E di që jeni të interesuar, por ky është një detaj operacional, por të jeni të sigurt se bashkëpunimi në mes të EULEX-it dhe KFOR-it është shumë i ngushtë dhe produktiv”, është shprehur ai.

Duke folur për aksionet e bastisjeve të EULEX-it në Ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit dhe në prona të zyrtarëve të kësaj ministrie, Bentler është shprehur i sigurt se EULEX-i ka marrë një vendim të mençur, duke shfaqur bindjen se aksione të tilla do të vazhdojnë.

\"Njerëzve u janë marrë paratë dhe ne duhet të duartrokasim çdo përpjekje të partnerit tonë, (EULEX), për të shkuar pas krimit të organizuar, e përkrah plotësisht këtë dhe, meqë ra fjala, unë kam qenë i informuar, e kam ditur edhe më përpara”, ka thënë komandanti, duke folur për bastisjet. Sipas tij, aksionet e EULEX-it kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vazhdojnë dhe ka shfaqur bindjen se do të kenë një përfundim të suksesshëm, në kuptimin që ngjarjet nuk do të përfundojnë vetëm me aksione policore.

“Jam i sigurt se kanë marrë një vendim shumë të mençur dhe me siguri se do të vazhdojnë këtë proces me një perspektivë të mirë dhe me një përfundim të suksesshëm”, ka deklaruar gjermani, duke shpresuar për sukses të EULEX-it. Ai madje duke qeshur ka deklaruar se do t’i mbajë gishtat të kryqëzuar për sukses të EULEX-it dhe se gishtat e tij nuk janë duke u djersitur.

“Besoj fuqishëm se janë duke bërë punën që duhet të bëjnë dhe gishtat e mi nuk janë duke u djersitur. Ky është një proces i gjatë dhe njerëzit duhet të kenë durim, ka hetime, ka mbledhje të dëshmive, ka marrje në pyetje”, ka thënë ai.
Komandanti gjerman i KFOR-it nuk ka dashur të komentonte nëse Qeveria është duke bërë fushatë kundër imazhit të EULEX-it pas aksioneve të fundit, mirëpo ka deklaruar se është i kënaqur me reagimin e popullatës pas aksioneve kundër korrupsionit. Duke u bazuar në informatat që merr nga burimet e tij, Bentler ka deklaruar se shumica e kosovarëve janë duke u ndier të çliruar, sepse më në fund diçka është duke ndodhur.

“Ka disa reagime kundër, por unë gjithashtu dëgjoj shumë më shumë përshtypje pozitive nga popullata, ata thonë se më në fund është duke ndodhur diçka, ndihen të çliruar. Shumë më shumë gjëra pozitive dëgjoj sesa reagime kundër”, ka thënë ai.

Bentler po ashtu ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët relevantë në kuptim të stabilitetit dhe paqes, ndërsa pa asnjë rezervë e ka kritikuar aksionin e fundit të Autoritetit Rregullativ të Komunikacionit për shkyçjen e antenave të operatorëve ilegalë serbë.

“Çdo aksion ka edhe kundëraksion. Për shembull ART-ja ka ç’kyçur antenat dhe dikush tjetër i ka hedhur antenat në erë në veri. Nuk është në rregull që njerëzve t’u ndalet komunikimi dhe t’u thuhet: hej, tash ka përfunduar gjithçka”. Sipas tij, ART-ja nuk është dashur që në orën 05:00 të ndërmarrë aksionin për shkyçje, por do duhej ta bënte këtë në mënyrë më të matur dhe të mos provokonte situata të dhunshme.

\"Ka qenë diçka që e kam urryer, e kam urryer, si një person që merret me sigurinë e kam urryer këtë”, ka përsëritur disa herë ai. “Nuk e di kush i ka inkurajuar, por e kuptojmë frustrimin e serbëve, sepse kanë të drejtë të frustrohen, nuk është e drejtë t’u ndërpritet komunikimi në atë mënyrë”.

Sipas tij, veriu i Kosovës është një çështje mjaft e ndjeshme, megjithëse beson se sundimi i rendit dhe i ligjit është duke u vendosur atje. Sulmin e fundit ndaj zyrave të KFOR-it danez në veri ai e konsideron si një reagim të personave që e ndiejnë forcimin e rendit dhe të ligjit dhe që mundohen ta dëmtojnë atë. Por megjithëkëtë, ai nuk është edhe shumë i shqetësuar, ngase sheh përmirësime të dukshme. KFOR-i do të qëndrojë neutral edhe ndaj zgjedhjeve serbe më 30 maj që pritet të organizohen në veri dhe KFOR-i nuk do t’i pengojë ato, por do të reagojë nëse do të ketë ndonjë përkeqësim të situatës, apo edhe ndonjë trazirë.

Situata mjaft shqetësuese, por jo si në veri, sipas Bentlerit, është edhe në kufirin në mes të Kosovës dhe Maqedonisë. Incidentet e fundit në këtë zonë kufitare Bentler i ka quajtur akte kriminale që për qëllim kanë pasurimin përmes kontrabandës së mallrave të ndryshme, dhe këta persona, sipas tij, nuk kanë ndonjë ideal patriotik.

Ai ka pranuar se kontrolli i vijës kufitare me Maqedoninë nuk është i ashpër, ngase, siç është arsyetuar, nuk dëshiron të ketë një kufi sikur që ka qenë muri i Berlinit, që e kishte ndarë vendin e tij në dysh. Pas incidenteve të fundit në atë pjesë numri i trupave të KFOR-it është shtuar ndjeshëm, megjithëse ka pranuar se ende nuk është arritur të ndalet kontrabanda dhe krimi i organizuar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)