29 Mars 2020

KFOR do të vazhdojë përpjekjet për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt

Prishtinë, 27 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Haki Abazi, kanë pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi, i shoqëruar prej asistentit të tij ushtarak, kolonel lejtnant,  Dario Paduano, dhe këshilltarit të tij politik, Alexander Aalmo.

Në një atmosferë shumë miqësore u rikonfirmua përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë.

Kryeministri shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës.

Po ashtu, ai vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen.

Në këtë fazë, bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë.

Komandanti i KFOR-it theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës.

Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë.

Më pas, Komandanti i KFOR-it e njoftoi Kryeministrin se, nën mandatin e KFOR-it, dhe në kuadër të përgjegjësive të menaxhimit të hapësirës ajrore të autoriteteve të NATO-s, me ndihmën e Hungarisë dhe Islandës, po vazhdojnë përpjekjet për hapjen e korridoreve të reja ajrore.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën edhe një herë gatishmërinë për derë të hapur për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Komandanti i KFOR-it i dorëzoi kryeministrit Stemën e Komandantit të KFOR-it.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 mars 2020

- Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri viziton Drejtorinë e Arsimit për ta parë procesin e mësimit online. (Dejtoria e Arsimit në Gjilan, ora 10:30)

- Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri mban takim me Komitetin për mbrojtje dhe shpëtim kundër Covid-19 dhe Qendrën Operative Emergjente (Kampsui i Shkollave të Mesme në Gjilan, ora 11:00)

 

- Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia e PDK-së në Prishtinë, ora 16:30.