25 Tetor 2021

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së mbështetet fuqishëm Ministrin Mehaj

Washington, 14 tetor - Gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Mehaj vizitoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Në Ambasadën e Kosovës në SHBA ai takoi drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore, Robin S. Brooks.

Me këtë rast, ministri Mehaj e informoi znj. Brooks me përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në vazhdim ata diskutuan edhe për sigurinë rajonale, ndikimet e huaja si dhe ndryshimet në mjedisin e sigurisë globale.

 Nga ana e saj, znj. Brooks vlerësoi vizionin dhe objektivat e ministrit Mehaj për të ardhmen, me theks të veçantë angazhimin e tij në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Ajo u zotua se do të punojë ngushtë për të realizuar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe qëllimet strategjike të Ministrisë së  Mbrojtjes.

Më pas, ministri Mehaj vazhdoi agjendën e tij me vizitën në Këshillin Atlantik, në Washington DC, ku para shumë ish-diplomatëve, ambasadorëve dhe njohësve të shumtë të rajonit tonë, çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, u adresua duke njoftuar ata me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në veçanti.

Ai gjithashtu theksoi se vizioni i qeverisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe orientimi euroatlantik.

“Ndër qëllimet tona kryesore strategjike si shtet dhe qeveri, është angazhimi maksimal për anëtarësim në NATO dhe BE. Për këtë, nga fushëveprimi ynë si Ministri e Mbrojtjes, jemi të fokusuar në zhvillimin dhe modernizimin e Forcave Mbrojtëse sipas standardeve më të avancuara të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s që të jenë efektivisht të ndërvepruese në misione të përbashkëta paqeruajtëse dhe të stabilitetit”, theksoi ministri Mehaj në fjalën e tij të rastit.

Me theks të veçantë, përveç vlerësimit dhe mirënjohjes maksimale për mbështetjen e deritashme nga SHBA, ministri Mehaj të pranishmëve u rikujtoi se partneriteti i Republikës së Kosovës me SHBA-në është jetik dhe i pazëvendësueshëm dhe se do të angazhohet maksimalisht që ky partneritet të fuqizohet edhe më shumë në të gjitha aspektet.

Këshilli Atlantik është një “think tank” amerikan në fushën e çështjeve ndërkombëtare, i themeluar në vitin 1961. Ai menaxhon dhjetë qendra rajonale dhe programe funksionale që lidhen me sigurinë ndërkombëtare dhe prosperitetin ekonomik global.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)