24 Prill 2024

Kadetët e diplomuar të FSK-së japin betimin për shërbim ndaj vendit

Prishtinë, 27 qershor -  Sot, në kazermën ,,Skënderbeu’’ të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), në Ferizaj u mbajt ceremonia e diplomimit të tetë kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe dy kadetëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të shkolluar në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, të cilët u graduan me gradën e nëntogerit si dhe morën emërimet në detyrë për shërbim si oficerë të rinj në FSK-së, përkatësisht në ushtrinë shqiptare.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradina, ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ministri i Punëve të Brendshme z. Ekrem Mustafa, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral Uwe Becker, komandanti i QSU-së, major Vegim Krelani si dhe deputetë, gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, KFOR-it, atashe ushtarakë dhe të mbrojtjes nga shtete të ndryshme, familjarë të kadetëve  dhe mysafirë të tjerë.

 Me këtë rast, kryeministri Haradinaj duke i uruar kadetët për diplomimin, emërimin dhe gradimin si dhe për shërbimin me vetëmohim ndaj vendit tha se këta kadetë janë gjenerata e parë që diplomojnë  pas votimit në Parlament, edhe pas mandatimit të FSK-së si Forcë Mbrojtëse e Kosovës duke u bërë kështu vetë historia.

 “Ju uroj për gradimin dhe ju falënderoj për shërbimin e deritashëm.  Ju ftoj që të shërbeni me nder  në ushtrinë e Kosovës, për popullin e Kosovës, për paqen dhe për rreshtin e ushtrive të paqes  të cilit ne i takojmë dhe do t’i takojmë, pra së shpejti në NATO, të cilës i prin SHBA-ja”, tha kryeministri Haradinaj, duke vazhduar se Kosova si vend, vjen prej sfidave e tragjedive dhe  ende është e sfiduar, por nuk bën garë me të keqen,  garën e bëjmë me të mirën dhe synojmë t’iu takojmë popujve të lirë, ushtrive të popujve të lirë,  atyre ushtrive që garantojnë paqen.

 Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha tha se  ka nderin që sot të merr pjesë në këtë datë të rëndësishme për karrierën dhe jetën e kadetëve, por edhe FSK-në dhe shtetin e Kosovës.  “Sot duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja dhe të zotoheni që ta nderoni uniformën e FSK-së, ta nderoni Atdheun dhe të mbroni paqen, liritë dhe shtetin e ndërtuar me shumë sakrificë”, tha ministri Berisha. Ju jeni pjesë e një Force profesionale, të besueshme, shumetnike që jemi duke e ndërtuar bashkë me aleatët tanë. Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe unë jam i bindur se pa marrë parasysh sfidat gjeopolitike të çastit, me djemtë dhe vajzat si ju e ardhmja euroatlantike e Republikës së Kosovës është e sigurt.

 Gjithashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se të gjithë që jemi sot bashkë këtu, erdhëm edhe për t’i përgëzuar kuadrot e reja që po i bashkohen FSK-së. ,,Nuk ka vlerë më të madhe se kur ke oficerë të devotshëm, profesionalë dhe me vlera të larta njerëzore në radhët e organizatës’’

 ,,Ju kadetë që po diplomoni sot, ju siguroj që keni bërë gjënë më fisnike që mund ta bënit, të përgatiteni për katër vite rresht. Jeni përgatitur për të mbrojtur qytetarët dhe për të kontribuar për një botë më të mirë për fëmijët tanë dhe të ardhmen e këtij vendi. Oficerët e rinj që kanë diplomuar në Qendrën për Studime Universitare po na bëjnë krenarë çdo herë me shkollime, trajnime dhe gara të ndryshme jashtë vendit’’.

Në këtë ceremoni u ndanë Diploma për 10 kadetët e diplomuar, ndërsa me medalje u nderua kadet Dritëro Bajrami për rezultate të larta në përvetësimin e programit mësimor përgjatë katër viteve të studimeve, si dhe kapter Naim Smakolli instruktor në Qendrën për Studime Universitare u dekorua me ,,Medalje për shërbim vetëmohues’’ për arritje të larta në planifikimin dhe zbatimin e plan-programit mësimor në QSU gjatë vitit akademik 2018/2019.

Në fund të ceremonisë, kadetët e sapo diplomuar në Qendrën për Studime Universitare dhe në R.I.T Kosova(A.U.K) tani nëntogerë të FSK-së: Ardit Deliu, Ardit Gashi, Dritëro Bajrami, Ilirianë Bunjaku, Jeta Berisha, Samet Kadrija, Valdrin Ismajli dhe Ylli Abazi, të cilët njëherësh janë emëruar në detyra si komandues të togës në batalionet e Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, dhanë betimin për shërbim.

Ndërsa, kadetët e sapo diplomuar në QSU dhe tani nëntogerë nga Republika e Shqipërisë,  Denis Bitri dhe Endrit Hate do të sistemohen në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)