26 Nëntor 2020

IKD: KPK kundërligjshem nominoi për anëtarë të KPK-së, Jetish Malokun

Prishtinë, 21 tetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me nominimin e Prokurorit Jetish Maloku për pozitën e anëtarit të KPK-së, pozitë të cilën Maloku e ka mbajtur edhe në të kaluarën.

KPK më 8 tetor 2020 ka shpallur zgjedhjet për anëtarë të rijë të KPK-së nga radhët e shtatë (7) Prokurorive Themelore, në mesin e të cilave edhe Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Për anëtarë të KPK-së nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë paraqitur kandidaturën dy (2) prokurorë: Leonora Kadriu dhe aktualisht Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Jetish Maloku.  Prokurori Maloku ka qenë anëtar i KPK-së nga viti 2011 deri në fund të vitit 2015.

Në rastin konkret, kandidatura e Prokurorit Jetish Maloku është në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 15 prill 2019. Neni 12.1. i këtij ligji specifikon se “Anëtarët  e  Këshillit  qëndrojnë  në  detyrë  për  një  mandat  pesë  (5)  vjeçar,  pa  të  drejtë rizgjedhjeje”.

Në këtë mënyrë, kjo dispozitë ligjore ka përcaktuar se një prokurorë ka të drejtë të jetë vetëm një mandat si anëtar i KPK-së, dhe i njëjti nuk mund të rizgjedhet përsëri në këtë pozitë. Qëllimi i këtij neni është që përbërja e KPK-së të ripërtërihet vazhdimisht, dhe jo që anëtarët paraprak të zgjedhen përsëri anëtarë në KPK.

Maloku më 15 korrik 2010 ishte emëruar anëtar i KGJK-së, i cili emërim ishte bërë bazuar në Ligjin Nr.03/L-123 për Përbërjen e Përkohshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Më 1 janar 2011 kishte hyrë në fuqi Ligji Nr. 03/L-224 për KPK-në. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Maloku ishte transferuar si anëtarë i KPK-së. Ky transferim është bazuar në nenin 43.2. të këtij ligji, i cili nënvizonte se “Prokurorët të cilët në kohën e themelimit të këtij Këshilli siç ceket me këtë ligj, janë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, transferohen në Këshill dhe mbesin aty deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të tyre”.

Fakti se Maloku nuk është zgjedhur si anëtar i KPK-së sipas ligjit aktual, por është zgjedhur sipas ligjit të asaj kohe, nuk i jep të drejtë të njëjtit që të rizgjedhet në pozitën e anëtarit të KPK-së.

Kjo pasi që ligji sipas të cilit Maloku është zgjedhur anëtar në mandatin e parë tanimë është shfuqizuar, dhe i njëjti nuk mund të aplikohet. Pra, ai ligj “ka vdekur”. Madje, aplikimi i atij ligji nuk është përcaktuar as në dispozitat kalimtare të Ligjit Nr.06/L-056 për KPK-në. Për më tepër, neni 12 i Ligjit Nr.06/L-056 për KPK-në i referohet përbërjes së Këshillit dhe ka për qëllim rregullimin e përbërjes së këtij institucioni, dhe jo një të drejte specifike të një anëtari të caktuar.

Për këto arsye, Prokurorit Jetish Maloku sipas ligjit nuk i lejohet që të zgjedhet anëtar i KPK-së. Rrjedhimisht, nominimi i kandidaturës së Malokut nga Komisioni Zgjedhor (KZ) i KPK-së është veprim i kundërligjshëm, dhe po ashtu, ky vendim paraqet mos zbatim të rregullave që vet KPK ka miratuar pikërisht ditën kur ka shpallur zgjedhjet për anëtar të KPK-së nga radhët e Prokurorive Themelore.

KPK më 8 tetor 2020 ka miratuar Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, neni 8.4. i së cilës përcakton se “Prokurorët që plotësojnë kushtet nga prokuroria përkatëse ku zhvillohen zgjedhjet kanë të drejtë të jenë të nominuar për anëtarë të KPK-së”. Ndërsa, paragrafi 5 dhe 6 i kësaj rregullore përcakton se “Nëse KZ i KPK-së konstaton se ndonjë nga kandidatët e nominuar nuk i plotëson kriteret ligjore nxjerr vendim brenda pesë (5) ditëve nga mbyllja e afatit për aplikim për mospranim të kandidaturës së kandidatit të nominuar. Kundër vendimit të Komisionit Zgjedhor të KZ-KPK nga kandidati paraprak i këtij neni, kandidati i pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në KPK brenda tre (3) ditëve nga dita e pranimit të vendimit. KPK-ja do të shqyrtojë ankesën në afat prej pesë (5) ditësh nga dita e pranimit të ankesës. Në rast se KPK-ja refuzon ankesën, respektivisht, nëse e aprovon, KPK-ja publikon listën përfundimtare të kandidatëve të nominuar për secilën prokurori”.

Me këtë rast, KZ i KPK-së ka heshtur përballë kundërligjshmërisë së kandidaturës së Prokurorit Maloku, me ç’rast ka shkelur rregulloren e KPK-së, derisa për këtë kundërligjshmëri nuk ka reaguar as KPK, por se e ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve të nominuar për anëtarë të KPK-së, në mesin e të cilëve, kundërligjshëm, është edhe Prokurori Jetish Maloku.

Me këtë rast, IKD vlerëson se sjellje të tilla të vazhdueshme të KPK-së, të cilat sjellje konsistojnë në shkelje flagrante të ligjit dhe rregullave që vet KPK ka miratuar, i’a humbin vetë kuptimin institucionit të KPK-së, i cili sipas nenit 110.1. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës “është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin”.  Me këtë rast, KPK duhet ta ketë parasysh se secila përbërje e këshillit, para së gjithash, duhet të jetë e ligjshme. Kontestimi i ligjshmërisë së përbërjes së këshillit reflekton edhe në kontestimin e ligjshmërisë së të gjitha vendimeve të këshillit, të cilat nxjerrën me votat e anëtarëve të Këshillit. Në këtë mënyrë, krahas të tjerave, besimi i publikut në sistemin prokurorial, edhe ashtu në margjina minimale, do të minohet në thelb.

Për këto arsye, IKD rekomandon që KPK të kthejë ligjshmërinë e procesit të zgjedhjes së anëtarit të KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke larguar nga lista e kandidatëve të nominuar prokurorin Jetish Maloku, zgjedhja e të cilit për anëtarë të KPK-së është e kundërligjshme.

Në anën tjetër, situatë e tillë ishte shfaqur në qershor të këtij viti edhe në kandidaturat për anëtarë të KGJK-së, të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në këtë konkurs, kandidaturën për anëtare të KGJK-së e kishte paraqitur edhe Gjyqtarja Valdete Daka, ish-anëtare e KGJK-së, por se Komisioni për Legjislacion kishte shmangur kundërligjshmërinë, dhe nuk e kishte propozuar të njëjtën për votim në seancë plenare.

Rikujtojmë faktin se KPK gjatë vitit 2015 kundërligjshëm i’a kishte zgjatur edhe për pesë (5) muaj mandatin pikërisht Prokurorit Maloku, për të cilën zgjatje, në konflikt të interesit, kishte votuar edhe vetë Maloku.  Lidhur me këtë, Ambasada Amerikane dhe Projekti i Bashkimit Evropian për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, në vitin 2015, përmes shkresave zyrtare drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës kishin potencuar konfliktin e interesit potencial të z. Jetish Maloku dhe ish-anëtares së KPK-së, znj. Sevdije Morina lidhur me vazhdimin e kundërligjshëm të mandatit përtej afatit ligjor prej pesë viteve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Nëntor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave, Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi marrin pjesë në përurimin e kompletit te veprave të prof. Anton Çettës. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Kryetarin i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)