20 Maj 2019

Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria do të rehabilitohen, të dyshuarit para drejtësisë

Prishtinë,  20 prill - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në konferencë për media të mbajtur sot, ka njoftuar mediat dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për operacionin e realizuar në orët e para të mëngjesit përmes të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka kthyer 110 qytetarë të Kosovës të cilët kanë qenë në vatrat e luftës në Siri.

Tahiri ka bërë të ditur se që nga muaji tetor i vitit 2018 ka qenë në krye të një Task Force ndër institucionale e cila është angazhuar për një koordinim të plotë për realizimin e këtij operacioni.

Ministri Tahiri ka theksuar se përveç angazhimit në kuadër të Koalicionit Global Kundër Terrorizmit, për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në konflikte të huaja dhe për të luftuar terrorizmin, aksioni i sotëm është ndërmarrë për të përmbushur detyrimet që Kosova ka përballë parimeve mbi të cilat funksionin rendi ynë kushtetues.

Ministri Tahiri ka potencuar se të gjitha pretendimet për kryerjen e veprave penale dhe krimeve me të cilat mund të ngarkohen personat që kanë qenë pjesëmarrës në vatrat e luftës, në zonën e konflikteve, si dhe që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste, do të adresohet konform ligjeve në fuqi.

"Mesazhi ynë është i qartë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e sistemit të drejtësisë, do vazhdojnë akoma më fuqishëm parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Republika jonë nuk do lejojë që shtetasit e saj të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit dhe sigurinë e vendeve tjera perëndimore" ka thënë ministri Tahiri.

Megjithatë, ministri Tahiri foli edhe për dimensionin tjerër rreth qytetarëve të kthyer pjesa më e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë, të cilët meritojnë të rehabilitohen.

"Këto gra, meritojnë rehabilitim dhe shpresë për një jetë të qetë dhe këta fëmijë, në vend të zonave të konfliktit, e kanë vendin në shkollë, për tu edukuar mbi të ardhmen e tyre. Këta shtetas tanë, veçmas fëmijët, kanë kaluar një periudhë të rëndë traumatike dhe përballë tyre, ne do të marrim përsipër kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të tejkalohet" ka shtuar ministri Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, Republika e Kosovës dhe kushtetuta e saj nuk i mohon askujt të drejtat themelore, andaj premtoi se do të angazhohet  që këta qytetarë të rehabilitohen, të integrohen dhe të bëhen pjesë e shoqërisë.

"Realizimi i këtij operacioni, për të cilin jemi shumë mirënjohës ndaj partnerëve tanë si dhe mekanizmave të sigurisë në vend, dërgon një mesazh i qartë se shteti ynë nuk do t’i braktisë qytetarët e vet, pavarësisht eksperiencës së tyre."

"Por po ashtu dërgon një mesazh të qartë se ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi nuk kanë të bëjnë asgjë me ne, as me traditën tonë, as me realitetin ku bëjmë pjesë, as me vizionin tonë shtetëror e shoqëror dhe si të tilla, do luftohen në çdo hap" ka përfunduar ministri Tahiri.

Në konferencën për shtyp në të cilën kanë marrë pjesë edhe Drejtori i Policisë së Republikës së Kosovës z. Rashit Qalaj dhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, z. Naser Ramadani, mediat janë njoftuar për gjendjen e tyre dhe për masat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të menaxhuar me kujdes rehabilitimin e këtyre qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 maj 2019  - Vazhdimi i Seancës plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike. (Ndëresa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Mbahet takimi i rregullt i Komitetit për Politik dhe Financa i Komunes se Pejes. (Salla e takimeve, zyra e kryesuesit Islam Husaj, ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe Koordinatori i testit nacional Rexhep Hoti raportojn para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me testin e organizuar në shkollat e Kosovës. (Ndëresa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)
 
- Shoqata Down Syndrome Kosova mban konferencë për media për të njoftuar lidhur me sjellën në Kosovë të grupit te vallëzimit “Larondina” nga Britani e Madhe. (Hotel Parlament në Prishtinë, ora 18:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Enver Topalli. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)