13 Korrik 2020

Gjykatat dështuan në masë të madhe t’i zbatojnë̈ obligimet

Prishtinë, 4 qershor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të enjten, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik.

Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD, tha se Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit ka hyrë në fuqi në vitin 2015 dhe si rrjedhojë ka shënuar një hap përpara në aspektin e përmirësimit të pozitës së viktimave të krimit në vend. Sipas saj, përkundër se jemi në vitin e gjashtë prej kur ka hyrë në fuqi ky ligj, praktika po dëshmon se zbatimi i tij lë për të dëshiruar.

Rezniqi deklaroi se, që nga funksionalizimi i punës së Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit janë pranuar gjithsej 50 kërkesa për kompensim, nga të cilat 20 janë refuzuar, 15 janë aprovuar dhe 15 janë ende duke u trajtuar. “Nga ato të aprovuarat, vlera më e lartë e kompensimit ka arritur shumën prej 6,000 euro, kurse 2,000 euro ka qenë vlera më e ulët e kompensimit që ky Komision e ka aprovuar”, deklaroi ajo.

Ndërsa, sa i përket Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, hulumtuesja Rezniqi tha se i njëjti shprehimisht ka paraparë obligimin e gjyqtarëve që me rastin e shqiptimit të sanksioneve penale, t’i obligojë të akuzuarit të paguajnë edhe taksat për kompensimin e viktimave.

“Këto taksa ndahen në dy grupe, për veprat penale që gjykohen nga Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore kërkohet pagesa e shumës prej tridhjetë (30) Euro, kurse për veprat penale që gjykohen nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore kërkohet shuma prej pesëdhjetë (50) Euro”, bëri të ditur ajo.

Tutje, Rezniqi theksoi se bazuar në intervistat e zhvilluara, IKD ka gjetur se sfidë shumë e madhe për gjyqtarët sidomos në vitet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, e deri në pranimin e Qarkores nga Gjykata Supreme ka qenë fakti se neni 39 i LKVK – së nuk është kuptuar drejt dhe në mënyrë të plotë nga gjyqtarët.

“Në anën tjetër, për ata që megjithatë e kanë pasur krejtësisht të qartë këtë dispozitë, nga analiza e aktgjykimeve, del se sfidë e kanë pasur zbatimin e së njëjtës. Në këtë drejtim, IKD nuk ka gjetur asnjë aktgjykim të vitit 2015 i cili ka obliguar të pandehurit e dënuar që të paguajnë një taksë 50 apo 30 euro (varësisht nga Departamenti ku është gjykuar). Ndërsa, përpos aktgjykimeve të analizuara, ky konstatim është vërtetuar edhe nga përgjigjet e dhëna nga udhëheqësit e gati të gjitha gjykatave, e po ashtu edhe nga të dhënat të cilat IKD i ka pranuar nga KGJK-ja mbi të hyrat e gjykatave nga këto taksa”, tha Rezniqi.

Krahas kësaj, hulumtuesje e IKD-së tregoi se po ashtu kanë evidentuar aktgjykime të gjykatësve të njëjtë, të cilët në disa raste e kanë zbatuar LKVK-në dhe kanë obliguar të pandehurit e dënuar që të paguajnë taksën 30 apo 50 euro (varësisht nga departamenti ku po gjykohej vepra penale), por se të njëjtit gjyqtarë në disa raste të tjera nuk kanë vepruar në mënyrë të njëjtë.

“Njëkohësisht janë evidentuar edhe raste shumë të çuditshme ku vlera e taksës të cilën obligohen ta paguajnë të pandehurit nuk është shqiptuar në mënyrën siç është paraparë me LKVK – në. LKVK e ka paraparë shumë qartë që kur shqiptohet sanksion në Departamentin e Përgjithshëm duhet të shqiptohet taksë prej 30 eurove, ndërsa në Krime të Rënda 50 euro. Megjithatë, përkundër faktit se kjo është një shumë fikse, ka raste kur të dënuarit në DKR janë obliguar të paguajnë taksën në vlerë prej 25 euro."

"E ngjashëm ka ndodhur edhe në DP kur të dënuarit janë obliguar që të paguajnë taksën në vlerë prej 20 euro. Në anën tjetër, IKD po ashtu ka gjetur raste kur ndaj një të dënuari për dy vepra penale, taksa në emër të kompensimit të viktimave të krimit ka përbërë një detyrim në vlerë prej 100 eurosh, pra nga 50 euro për secilën vepër”, deklaroi Rezniqi.

Leotrim Gashi, hulumtues në IKD, theksoi se një element tjetër shumë i rëndësishëm i evidentuar si rrjedhojë e procesit sistematik të monitorimit të të gjitha seancave gjyqësore në vend, në të gjitha instancat gjyqësore, është fakti se në shumicën dërrmuese të rasteve kemi mos njoftim të duhur të viktimave, lidhur me të drejtat e tyre, çka sipas tij bën që kjo kategori e ndjeshme të mos arrijë realizimin e plotë të të drejtave të veta, meqë tha se nuk kanë mjaftueshëm njohuri mbi të drejtën e tyre për kompensim dhe as për pasojat e heqjes dorë nga kompensimi.

Sipas Gashit, përkitazi me mos zbatimin e LKVK – së, IKD konsideron se një rol kyç e ka luajtur edhe Gjykata e Apelit, ku bazuar në aktgjykimet e analizuara rezulton se zbatueshmëria e LKVK – së nga kjo gjykatë është zero.

“Aq më tepër që Apeli duke vërtetuar aktgjykimet e gjykatave të instancës së parë, në të cilat nuk kemi pasur zbatim të LKVK-së, në njëfarë forme ka legjitimuar shkeljen ligjore të gjykatësve të shkallës së parë dhe ka bërë që të njëjtit edhe në të ardhmen të vazhdojnë të mos shqiptojnë taksën e përcaktuar me LKVK. E përpos kësaj, edhe në rastet kur ka ndryshuar aktgjykimet e shkallës së parë për arsye të tjera, nuk ka ndërmarrë ndonjë masë kundrejt ndryshimit edhe të kësaj pjese, që dëshmon se kjo instancë gjyqësore fare nuk e ka zbatuar këtë ligj."

"Me Kodin e Procedurës Penale mos shqiptimi i taksës nuk konsiderohet shkelje esenciale në mënyrë të taksative, mirëpo parashihet se shkelje esenciale konsiderohet nëse aktgjykimi nuk është përpiluar në përputhje me përmbajtjen dhe formën e aktgjykimit me shkrim."

"Njëkohësisht gjyqtarët e Gjykatave Themelore, LKVK i ka obliguar që të shqiptojnë taksën për viktimat e krimit në aktgjykimet dënuese dhe duke marrë parasysh se gjyqtarët nuk i kanë si bazë vetëm KPRK dhe KPPRK, si ligje të vetme me të cilat punojnë, konsiderojmë se mos shqiptimi i kësaj takse në aktgjykim nga ana gjyqtarëve, përbën shkelje esenciale të procedurës. Aq më tepër që një çështje e tillë tashmë edhe po parashihet në Projekt Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, ku pjesa e përmbajtjes së aktgjykimit dënues është plotësuar edhe me taksën për kompensimin e viktimave”, tha ai.

Gashi po ashtu e tregoi edhe ndikimin që ka pasur ky hulumtim i IKD–së, ku nga të dhënat e pranuara nga KGJK për periudhën janar – shtator 2019, rezulton se në total janë grumbulluar 111,679 euro për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Pra, për një muaj mesatarisht 12,407 euro. Ndërsa, që nga momenti kur ka filluar hulumtimi në shtator 2019, përfshirë edhe intervistimin e udhëheqësve të gjykatave, shuma totale e të hyrave deri në fund të vitit ka arritur në 158,470 euro, apo 46,800 euro vetëm përgjatë tre muajve të fundit. Kjo nënkupton se përgjatë këtyre tre muajve, mesatarisht janë mbledhur 15,600 euro në muaj. Kjo rritje nga 12,407 në 15,600 euro në muaj, e tregon qartë ndikimin që ka pasur ky hulumtim, e që pritet të mundësojë zbatimin e LKVK – së në një masë më të madhe dhe rrjedhimisht pastaj edhe grumbullimin e të hyrave për këtë Program të një rëndësie të jashtëzakonshme, në një masë më të madhe sesa deri tash”, bëri të ditur Gashi.

I njëjti ka prezantuar edhe rekomandimet specifike për secilin institucion të përfshirë në zbatimin e LKVK-së. Ai tha se gjyqtarët duhet ta trajtojnë me seriozitet zbatimin e LKVK – së dhe të përdorin një praktikë të përhershme e jo që në disa raste të obligojnë të pandehurit e dënuar që të paguajnë taksën në një shumë të caktuar, e herë të tjera një shumë tjetër, por të veprojnë ekskluzivisht vetëm në përputhje me nenin 39 të LKVK – së.

Gashi shtoi se gjyqtarët duhet të kenë kujdes që të zbatojnë me përpikëri rolin e tyre dhe në çdo rast t’i udhëzojnë viktimat lidhur me të drejtat e tyre ligjore, pra që të njoftohen lidhur me të drejtën e tyre për kompensim dhe t’i paralajmërojë për pasojat e heqjes dorë nga kompensimi.

Ai po ashtu tha se gjyqtarët e Gjykatës së Apelit duhet që në rastet e aktgjykimeve dënuese të cilat trajtohen nga kjo gjykatë ta konsiderojnë si shkelje ligjore mungesën e obligimit të pagesës së taksës për kompensimin e viktimave të krimit dhe në rastin kur nuk ka arsye të kthimit në rigjykim, të njëjtat të ndryshohen, në mënyrë që të shqiptohet edhe taksa siç parashihet me LKVK-në.

Tutje, hulumtuesi Gashi tha se rekomandim tjetër është që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të ndërmerr hapa konkretë në mënyrë që të rriten të hyrat për buxhetin që duhet të arkëtohen për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Po ashtu, Gashi rekomandoi edhe plotësim ndryshimet e nevojshme në KPPRK dhe LKVK në mënyrë që dispozitat lidhur me kompensimin e viktimave të krimit të jenë më efikase.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Korrik 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e hap fushatën e korrje-shirjeve. (Fushata e korrje-shirjeve nis në mes të fshatave, Livoq i Poshtëm dhe Velekincë, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt do të vizitojë kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të Komunës së Mitrovicës. (Bajgorë - Mitrovicë, ora 11:00)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Salla e Kuvendit, ora 14:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti raporton në Kuvendin e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)