19 Prill 2024

Gjatë këtij viti njësive të FSK-së i janë shtuar edhe 900 pjesëtarë të rinj

Prishtinë, 27 dhjetor - Në Ministrinë e Mbrojtjes sot u mbajt takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave, të cilët kanë përcjellë aktivitet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë vitit 2019.

Në takimin ishin prezentë: Ministri Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe stafi civil i ministrisë dhe ushtarakë i FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha në adresimin e tij fillimisht falënderoi mediat për informimin e qytetarëve dhe pasqyrimin e drejtë të aktiviteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së gjatë vitit që po lëmë pas.

Ai theksoi se kjo konferencë ka një rëndësi të veçantë, sepse në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, po u drejtohet mediave në njëvjetorin e tranzicionit të FSK-së me mandate ushtarak.

Më tej Ministri numëroi disa nga të arriturat kryesore gjatë këtij viti, ku përfshihen realizimi i plotë i objektivave të parapara gjatë vitit të parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së; avancimi i kapaciteteve operative; implementimi i strukturës së re organizative të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.

 Qytetarët kanë pasur rast t’i shohin njësitë e FSK-së sipas strukturës së re, me emblema dhe flamuj të rinj, gjatë rreshtimit në kuadrate në Ditën e Forcës 27 nëntor 2019.

Ministri i Mbrojtjes gjithashtu njoftoi gazetarët se gjatë kësaj periudhe, njësive të FSK-së i janë shtuar edhe 900 pjesëtarë të rinj. Me rekrutimet e fundit, është rritur numri i pjesëtarëve të gjinisë femërore (11%) dhe pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë (rreth 10%) në strukturat e FSK-së.

Ministri iu referua edhe sondazhit të fundit rreth besueshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2019. Ky sondazh, edhe këtë vit, e ka nxjerr FSK-në si institucionin më të besueshëm, me rritje në përqindjen e besueshmërisë krahasuar me vitin e kaluar. Është rritur edhe besueshmëria në FSK nga komuniteti serb në 12%.

Kjo, sipas Ministrit Berisha, është falë punës së të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së si dhe shërbyesve civilë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri Berisha ritheksoi se një nga objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në NATO. Në këtë frymë, Republika e Kosovës ka raporte veçanërisht të mira me shtetet fqinje anëtare të NATO-s dhe ato që synojnë anëtarësimin në këtë organizatë.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi përshëndeti gazetarët i cili tha se përmbyllin vitin e parë si ushtri e vendit me suksese të mëdha në të gjitha fushat.

"Ne, falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe angazhimit të pjesëtarëve të FSK-së, i kemi përmbushur të gjitha objektivat e planifikuara të FSK-së."

"Synimi ynë mbetet avancimi i ndërveprueshmërisë me forcat anëtare dhe partnere të NATO-s, si dhe pjesëmarrja jonë në operacionet paqeruajtëse të NATO-s, për të dhënë kontributin e përgjithshëm për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë", ka theksuar ai.   

Në fund, komandanti i FSK-së, duke i falënderuar gazetarët, tha se transparenca jonë dhe pasqyrimi juaj profesional ka mundësuar që publiku dhe qytetarët e vendit në përgjithësi të informohen në mënyrë korrekte. Kjo ka rezultuar me vlerësimin, për të tetin vit me radhë të FSK-së, si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend.

 




Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)