28 Mars 2024

Franca do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në

Prishtinë, 11 mars - Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, në vazhdën e vizitave të ambasadorëve të vendeve mike, priti sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Me këtë rast, ministri Quni falënderoi ambasadoren Butel, për vizitën e saj dhe shprehu falënderimin për Republikën e Francës, si vend mik, në mbështetjen e ofruar vendit tonë deri më tani në të gjitha fushat, duke theksuar rolin e saj në sigurinë e përgjithshme, në vitet e rindërtimit dhe zhvillimit të vendit me kontingjentin ushtarak të KFOR-it.

Ministri Quni, theksoi rëndësinë e madhe që ka finalizimi i procesit të nisur për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Francës, duke pasur parasysh përvojën e madhe të forcave ushtarake franceze në përgjithësi, dhe në realizimin e suksesshëm të operacione paqeruajtëse në veçanti, me kërkesën edhe për këshillëdhënie profesionale ushtarake.

„Pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse është ndër detyrat kryesore ligjore të FSK-së, andaj edhe synim yni është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale kompatibile dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s."

"Ky synim do të kurorëzohet me ofrimin e mundësisë për ofrimin e kontributit tonë në kuadër të forcave shumëkombëshe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë“ tha ai.

Nga ana e saj, ambasadorja Butel, uroi ministrin Quni, për marrjen e detyrës së ministrit të mbrojtjes duke njoftuar për interesimin e Francës për zhvillimet në FSK, dhe procesin e tranzicionit të saj.

Ajo shprehu gatishmërinë e shtetit francez, që përmes ministrisë së saj të mbrojtjes dhe atasheve ushtarakë respektiv, ndërmjet dy vendeve të thellojnë kontaktet me diskutimin përmbajtjesor të temave me interes të përbashkët deri në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral.

Ambasadorja Butel, ndër tjera shprehu edhe interesimin për projektin e shërbimit të obligueshëm ushtarak, për të cilin, ministri Quni e informoi nga këndvështrimi profesional duke theksuar rëndësinë e këtij projekti; nga dimensioni edukativ, arsimor, social, ndërkomunikues, integrues dhe kultivimin e vlerave të mëdha që ka diversiteti kulturor, etnik dhe fetar i vendit për gjeneratat e reja.

Ai, në fund theksoi se ky projekt, tanimë është pjesë e programit qeverisës dhe do të analizohet dhe vlerësohet nga ekspertë të të gjitha fushave nga institucionet akademike, institucionet ndërkombëtare, shoqëria civile, organizata të ekspertëve dhe strukturat profesionale tona ushtarake gjithnjë në transparencë  dhe bashkërendim të plotë me partnerët tanë.

Nga ana e saj, ambasadorja Butel, premtoi se Republika e Francës do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, dhe bashkë me ministrin Quni u dakorduan që të arrihet marrëveshja e bashkëpunimit bilateral me interes në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së përgjithshme.

Në delegacionin pritës të ministrit Quni, ishin shefi i Kabinetit të Ministrit, Jashar Ramadani, këshilltari ushtarak kolonel Hamdi Pollomi dhe zyrtarja e lartë e kabinetit të Ministrit, Martina Dedaj-Kqira, kurse ambasadorja Butel, shoqërohej nga atasheu ushtarak i Francës për Kosovë, kolonel Fabricie Duda.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)