19 Prill 2024

FDHK e publikon raportin më të ri mbi përcjelljen e gjykimeve në vitin 2019

Prishtinë, 13 maj - Në kuadër të aktiviteteve të rregullta në projektin “Monitorimi i Gjykimeve të ndërlidhura me Krimet e Konfliktit në Kosovë dhe Përfshirja e Rinisë në Sektorin e Drejtësisë”, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në gjysmën e dytë të muajit shkurt të vitit 2020 e ka përfunduar përpilimin e raportit të rregullt vjetor mbi gjykimet më të rëndësishme në vitin paraprak 2019 me titullin “Gjykimet për krimet e luftës – ende në fillim”.

Gjatë muajit mars, raporti është përkthyer në të gjitha gjuhët zyrtare dhe teknikisht është përgatitur për shtyp. Për fundin e muajit mars ka qenë planifikuar organizimi i tryezës së rrumbullakët, në të cilën raporti do t'i paraqitej publikut.

Kjo është një praktikë e zakonshme, të cilës i përmbahet FDHK, rregullisht duke i publikuar raportet vjetore mbi gjykimet e përcjella. Në kuadër të tryezës së rrumbullakët ka qenë planifikuar hapja e diskutimit në temën: “Gjykimet në mungesë: rrugëdalje apo stagnim?”.

Në gjysmën e parë të muajit mars janë bërë të gjitha përgatitjet për tryezën e rrumbullakët, janë caktuar autorët e fjalëve hyrëse dhe panelistët, të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Megjithëkëtë, mbajtja e tryezës së rrumbullakët në mesin e muajit mars është shtyrë për më vonë për një kohë të pacaktuar për shkak të pandemisë së Corona Virusit (COVID – 19).

Në raport janë përfshirë analizat e gjykimeve, të cilat vëzhguesit e FDHK i kanë përcjellë gjatë vitit 2019. Po ashtu, janë paraqitur rezultatet, të cilat i kanë realizuar institucionet e gjyqësorit në procesimin e krimeve të luftës.

Në fund, janë dhënë rekomandimet për institucionet e gjyqësorit me qëllim të zotërimit sa më të suksesshëm të problemeve, me të cilat gjyqësori kosovar për momentin ballafaqohet si dhe për hir të realizimit të rezultateve sa më të mira në periudhën në vijim. 

Raporti ka gjetur se viti 2019 ka qenë specifik për shumëçka kur është fjala për gjykimet për krimet e luftës, të cilat janë mbajtur në Kosovë.

 Për herë të parë pas konfliktit të armatosur, për të vepruar lidhur me aktakuzat për krime të luftës ekskluzivisht kanë qenë kompetent gjyqtarët dhe prokurorët vendor.

Me Ligjin e Ri mbi Gjykatat është bërë riorganizimi i gjykatave. Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština është formuar Departamenti Special, i cili është kompetent për të vepruar lidhur me aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës, pra, edhe lidhur me aktakuzat për krimet e luftës.

Departamenti Special është formuar edhe pranë Gjykatës së Apelit. Këto Departamente janë funksionalizuar me zgjedhjen e gjyqtarëve, e cila ka përfunduar nga fundi i muajit qershor të vitit 2019.

Megjithëkëtë, viti paraprak ka qenë karakteristik edhe për numrin jashtëzakonisht të vogël të seancave në lëndët me akuza për krime të luftës. Në këtë raport janë përfshirë 19 lëndë, në të gjitha fazat e procedurës penale.

Procedura parapenale është ngritur kundër tetë (8) personave, të cilët gjatë vitit janë privuar nga liria për shkak të dyshimeve të bazuara se e kanë kryer veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile.

Nga liria janë privuar kryesisht në kalimin kufitar me rastin e hyrjes së tyre në territorin e Kosovës. Me atë rast, iu është caktuar masa e paraburgimit dhe kundër tyre janë ngritur edhe hetimet.

Në lidhje me dy (2) prej personave të cilët janë privuar nga liria, pas sigurimit të provave, hetimet janë ndërprerë dhe ata janë liruar nga paraburgimi. Në lidhje me katër (4) të tjerë të dyshuar, para fundit të vitit janë ngritur tri (3) aktakuza, derisa procedura hetimore ka vazhduar në lidhje me dy (2) persona të tjerë.

Në lidhje me akuzat për krime të luftës në periudhën e raportimit kanë vazhduar dy (2) shqyrtime kryesore të filluara në vitet paraprake. Në raport janë bërë analizat edhe të procedurave ankimore lidhur me akuza si dhe lidhur me lëndë të caktuara, të cilat janë të ndërlidhura me lëndë të krimeve të luftës e të cilat kanë prapavijë politike ose etnike.

Me qëllim të procesuimit sa më efikas të lëndëve për krimet e luftës si dhe të tejkalimit të problemeve me të cilat gjyqësori kosovar ballafaqohet, me këtë rast FDHK e ka gjetur të udhës që institucioneve kompetente kosovare t'ua propozojë disa rekomandime.

Krahas eliminimit të disa lëshimeve të caktuara procedurale, rritjes së numrit të prokurorëve dhe të gjyqtarëve, të cilët në mënyrë ekskluzive do të merreshin me krimet e luftës, domosdoshmërisë së zhvillimit të tyre të vazhdueshëm profesional, zhvillimit të personelit të tyre përcjellës si dhe respektimit të ligjeve në fuqi dhe normave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me gjykimin e drejtë e të ndershëm, FDHK e ka propozuar intensifikimin e bashkëpunimit profesional të gjyqësorit kosovar me institucionet ndërkombëtare si dhe e ka theksuar nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me Serbinë.

FDHK, edhe me këtë rast e ka theksuar qëndrimin se me gjykimet në mungesë, të cilat janë lejuar në praktikë pas ndryshimeve në kodin mbi procedurën penale, shkelen të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me dispozita ndërkombëtare.

Mbi këto dhe vëzhgimet e tjera, të cilat, sipas FDHK e kanë përcjellë gjyqësorin kosovar në vitin 2019, në mënyrë të hollësishme mund të njiheni në versionin online të raportit vjetor “Gjykimet për krimet e luftës – ende në fillim”.

Projekti “Monitorimi i Gjykimeve të ndërlidhura me Krimet e Konfliktit në Kosovë dhe Përfshirja e Rinisë në Sektorin e Drejtësisë” përkrahet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së saj në Prishtinë dhe nga Unioni Evropian përmes projektit “Transformimi i perceptimeve të konfliktit përmes rritjes së përfshirjes qytetare dhe të komuniteteve në Kosovë”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)