25 Prill 2024

EULEX-i kontrollon bagazhet e kryeministrit dhe ministrave në Aeroport

Prishtinë, 20 maj - Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe katër ministrave të kabinetit të tij u janë kontrolluar në detaje bagazhet me skaner nga doganierët e misionit EULX në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP).

Thaçi bashkë me Fatmir Limajn, Enver Hoxhajn, Lutfi Zharkun dhe Blerand Stavilecin kanë përjetuar një kontroll të detajuar teksa po kalonin përmes zonës VIP të aeroportit për të udhëtuar për në Turqi.

Përveç se janë kontrolluar, kreu i ekzekutivit dhe ministrat janë detyruar të ecin në këmbë për disa metra, ngase veturat e tyre nuk janë lejuar të hyjnë deri në pikën më të afërt, siç e praktikojnë zakonisht.

Veturat e tyre janë parë të kthehen prapa tek shenja “Gate 1” në aeroport, ndërsa zyrtarët qeveritarë kanë ecur në këmbë. Porta VIP, përmes së cilës kalojnë zyrtarët më të lartë të institucioneve të vendit me vetura, është bllokuar nga një veturë e doganierëve të EULEX-it, ndërsa afër sa janë parë disa doganierë të këtij misioni.

Zyrtarë nga EULEX-i nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me këtë kontroll doganor jo fort të zakonshëm, megjithatë, kanë sqaruar se bëhet fjalë për një procedurë të ligjshme.

“Sot, zyrtarët doganorë të Kosovës dhe EULEX-it në bashkëpunim me
sigurimin e aeroportit, kanë kryer kontrolle të bagazhit me skaner me rreze X në zonën VIP në Aeroportin e Prishtinës. Këto janë procedura të ligjshme”, ka bërë me dije zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, duke mos specifikuar nëse kontrollimi në ditën kur po udhëtonin zyrtarët qeveritarë është bërë me ndonjë arsye të caktuar.

Me gjithë kontrollimet, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrat Limaj, Hoxhaj, Zharku e Stavileci të mërkurën në mesditë kanë udhëtuar zyrtarisht për në shtetin e Turqisë.

Përmes një kumtese të lëshuar, kryeministria ka bërë me dije se në ditën e parë të vizitës, kreu i ekzekutivit do të takohet në Ankara me homologun e tij turk, Tayip Erdogan. Në ditën e dytë ndërkaq, sipas kumtesës, kryeministri do të qëndrojë në qytetin e Stambollit, ku do të takohet me zyrtarë lokalë.

Kryeministri Thaçi dhe katër ministrat e kabinetit qeveritar, gjatë kësaj vizite pritet që me Qeverinë e Turqisë të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha.

Vizita e Thaçit, Limajt dhe ministrave tjerë në Turqi po ndodh vetëm pak ditë pas shpalljes së një konzorciumi turko-frances fitues të tenderit për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Kjo përzgjedhje u përcoll me akuza për korrupsion nga disa kompani konkurrente, parti opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

/Gazeta Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)