26 Prill 2024

Drejtësia Sot e shqetësuar me procesin e emërimit të gjyqtarëve

Prishtinë, 5 gusht  - Drejtësia Sot shpreh shqetësimin në lidhje me procesin e emërimit të gjyqtarëve në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe atyre që do të shërbejnë në Gjykatën e Apelit. Ky proces, i menaxhuar në tërësi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), mbetet i mbyllur në të gjitha aspektet e tij dhe për më tepër, lë dyshime të mëdha mbi kualitetin e procesit të përzgjedhjes dhe të vet gjyqtarëve që janë emëruar në pozitat e dhëna. Drejtësia Sot në vijim do listoj vetëm disa nga arsyet që sjellin në një përfundim të tillë.

Së pari, ky proces ka qenë dhe mbetet proces i mbyllur dhe i izoluar nga syri i jashtëm.
KGJK ka refuzuar në vazhdimësi që të pranoj që procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të ardhshëm të këtyre departamenteve të jetë i monitoruar dhe që intervistomi i kandidatëve të jetë i hapur si çdo proces tjetër. Me këtë rast, KGJK, jo vetëm që ka përmbysur standardin e transparencës, por çdo ditë po shuan shpresat që ky institucion do të punoj mbi bazë të këtij parimi.

Së dyti, asnjë nga dokumentet me interes publik, duke përfshirë CV-të (duke hequr informacionet senzitive personale), dokumentet që njoftojnë mbi reputacionin e lartë profesional, integritetin, masat disiplinore (ndaj gjyqtarëve kandidatë nëse ka pasur), kapacitetin e lartë profesional dhe atë të arsyetimit ligjor, si dhe ato dokumente që tregojnë performacën e tyre paraprake si gjyqtarë, nuk janë vënë në dispozicion të publikut dhe/ose instituteve që kanë shprehur vullnetin për të monitoruar një proces të tillë të rëndësishëm, duke përfshirë GLPS-në dhe platformën Drejtësia Sot. KGJK ka refuzuar në vazhdimësi të ndajë me publikun ose institutet në fjalë informacionet e lartpërmendura dhe po vazhdon të heshtë në kërkesat që GLPS përmes platformës Drejtësia Sot ka parashtruar me datën 12 korrik 2019 për qasje në dokumentet publike në lidhje me kandidatët dhe procesin. Duke njohur faktin që dokumentet e tilla do jenë udhëzues mbi faktin nëse gjyqtarët e përzgjedhur meritojnë të shërbejnë në departamentet e dhëna, publiku dhe rrjedhimisht ne ende nuk njohim arsyet objektive, karshi kritereve të ligjit dhe rregulloreve, që kanë shtyrë KGJK-në për të përzgjedhur dhe emëruar kandidatët në fjalë në pozitat e tyre.

Së treti, Komisioni për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën e Apelit dhe KGJK nuk kanë sqaruar metodologjinë e vlerësimit dhe arsyetimin për secilin kandidat, si kushte minimale për t’i sqaruar publikut dhe palëve të interesuara pse gjyqtarët në fjalë janë përzgjedhur dhe emëruar në pozitat në fjalë. KGJK dhe Komisioni ende nuk arrijnë t’u përgjigjet kërkesave tona për informacion në lidhje me metodologjinë e shfrytëzuar për të arritur në përfundimin që gjyqtarët e zgjedhur janë të kualifikuar, kanë të kaluar dhe kredibilitet të mjaftueshëm profesional dhe etik, si dhe integritet moral, për të marr pozitat të tilla.

Së katërti, mbetet shqetësues fakti që KGJK dhe Komisioni në fjalë, në raport me shumicën e gjyqtarëve të emëruar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe atë në Gjykatën e Apelit, ka emëruar ata/o gjyqtar/e të cilat, sipas informacioneve publike, kanë mungesë të dukshme të eksperiencës në raste relevante të rëndësishme penale, për të mos thënë zero. Për më tepër, shumica nga ata/ato, nëse jo të gjithë, duke shqyrtuar aktgjykimet e mëhershme dhe profilin e tyre publik, nuk tregojnë që posedojnë kualifikim të duhur profesional dhe aftësi të larta të arsyetimit ligjor si standarde minimale të kërkuara nga rregullorja dhe vet natyra e punës që gjyqtarët do përballen në departamentin special.
Me këtë rast duhet rikujtuar KGJK-së dhe Komisionit përzgjedhës që Departamenti Special është themeluar si përgjigje ndaj nevojës për më shumë profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, dhe jo e kundërta.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje KGJK-së që t’i mbetet besnike parimit të transparencës dhe profesionalizmit, dhe si hap i parë të ofroj informacione mbi procesin e përzgjedhjes, dhe t’u jap përgjigje kërkesave që i’u janë drejtuar. Së dyti, të garantoj që procesi të kthehet në pikën zero. KGJK mban obligimin që të garantoj që së paku kriteret e miratuara në aktet e tyre të brendshme të respektohen (si psh. të Regullores Nr.03/2019), dhe duke marrë parasysh mënyrën se si ky proces është menaxhuar, KGJK mbetet e obliguar që të bëj dallim nga institucionet tjera dhe sidomos nga ato politike. Arbitrariteti, mbyllja, mungesa e profesinalizmit në vlerësim nuk janë formulë për të ndërtuar një fytyrë të re të sistemit gjyqësor dhe ndihmuar Kosovën.
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)