24 Shkurt 2019

Delegacioni i FSK-së pritet nga Senatorja Joni Ernst

Washington, 11 tetor - Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  janë pritur nga senatorja Joni Ernst në Washington D.C.  

Në takimin që zhvilloi delegacioni i MFSK-së me senatoren nga Iowa u diskutua për angazhimet e përbashkëta Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe për aftësimin e Kosovës në përballje me sfidat rajonale dhe globale.

Zëvendësministri Ramadani vuri theksin tek orientimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së në mandatin ushtarak dhe të mbrojtjes bazuar në standardet amerikane."Për Kosovën është jetësore  të vazhdojë ndërtimi i FSK-së me standarde amerikane në doktrinë, lidership, sistem të armatimit dhe në pajisje", tha zëvendësministri Ramadani, duke shprehur orientimin e Kosovës për partneritet të plotë me SHBA-të.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, nënvizoi gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në sigurinë  e rajonit dhe më gjerë.

"FSK është e gatshme të fillojë tranzicionin në mandat ushtarak, duke u bazuar në Planin afatgjatë që e kemi të koordinuar. FSK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, shumetnike, e besueshme dhe e gatshme", tha gjeneral Rama. 

Ndërkaq, senatorja Ernst shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e saj për vazhdimin dhe  mbështetjen e  Kosovës  në ndërtimin e kapaciteteve për siguri dhe mbrojtje.

Në takimin me senatoren Ernst mori pjesë edhe ambasadorja Vlora Çitaku, shefi i kabinetit të Ministrit të FSK-së Jashar Ramadani, atasheu i Mbrojtjes së Kosovë kolonel Ilir Qeriqi, diplomati Frymëzim Isufaj dhe atasheu amerikan i Mbrojtjes në Kosovë koloneli Ryan Nichols.

Delegacioni i MFSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA lidhur me avancimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 shkurt 2019 - Mbahet kampionati ekipor në pingpong Liga e Parë e Meshkujve. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Komuna e Deçanit në bashkëpunim më OVL të UÇK-së, organizojnë mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-luftëtarit Halim Tolaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media për çështjen e Lumbardhit në të cilën flasin nënkryetarja Fatmire Kollçaku dhe anëtari i Kryesisë në Pejë Taulant Kelmendi. (Takimi me gazetarë bëhet tek hotel "Dukagjini", ora 12:00)

 - Mbahet ceremonia e varrimit të ish-luftëtarit Halim Tolaj. (Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në fshatin Prejlep, ora 13:00)