28 Janar 2021

Avokati i Popullit bën thirrje që dhuna në familje të raportohet

Prishtinë, 25 nëntor - Avokati i Popullit, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe me qëllim të sensibilizimit të opinionit publik, ua rikujton institucioneve shtetërore detyrimet e tyre për t’u ofruar viktimave të dhunës mbrojtje të përshtatshme dhe të menjëhershme nga rreziku i dhunës.

Qëllimi i shënimit të kësaj dite, përveç tjerash, është edhe rëndësia që ka për shoqërinë sigurimi i respektimit të të drejtave të viktimave të dhunës në familje.

Dhuna ndaj grave dhe ndaj vajzave është forma e përhapur e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Të dhënat tregojnë se një në tri gra në botë ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe kryerësi i dhunës shpeshherë është një burrë nga familja e ngushtë e viktimës.

Institucioni i Avokatit të Popullit, gjatë periudhës së përhapjes së pandemisë dhe masave për qytetarët të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, është vënë në dijeni për rritjen e numrit të raportimit të rasteve të dhunës në familje.

Avokati i Popullit gjithashtu thekson se kufizimet në lëvizje gjatë pandemisë COVID-19  dhe rritja e dhunës ndaj grave obligon autoritetet shtetërore që në të ardhmen të ndërmarrin hapa për të siguruar që shtëpia të mos bëhet përsëri një vend frike për gratë e vajzat e shoqërisë sonë.

Avokati i Popullit thekson se është i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në përgjithësi, për ta parandaluar dhunën ndaj grave dhe për të arritur një qëndrim dhe opinion të përbashkët se dhuna kundër grave është e papranueshme dhe e pa tolerueshme.

Gjithashtu, Avokati i Popullit përfshirjen e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në Kushtetutën e Kosovës e konsideron si një hap pozitiv në zbatimin e rekomandimit të tij nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpreson se ky veprim në të ardhmen do të ketë një efekt pozitiv lidhur me luftën kundër dhunës ndaj grave. Konventa e përshkruan dhunën ndaj grave si “shkelje të të drejtave të njeriut” dhe si “formë diskriminimi”.

Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që dhuna në familje të raportohet te autoritetet, ashtu që t’u jepet mundësi institucioneve të veprojnë edhe gjatë kohës së pandemisë, sipas bazës ligjore ekzistuese.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Dhjetor 2020

- Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ekrem Hysenaj do të mbaj konferencë për media, në të cilën do të prezantoj aktivitetet e zhvilluara, si dhe rezultatet e arritura të ATK-së gjatë vitit 2020. (Zyra qendrore e ATK-së, ora 10:00)

- KDI organizon konferencën për media ku do të shpaloset “Indeksi për Perceptimin e Korrupsionit” për vitin 2020 përgatitur nga Transparency International. (Zyret e KDI-së, ora 10:00)  

- Mbahet mbledhja e parë e rregullt për vitin 2021 të Kuvendit Komunal të Prizrenit. (Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)

- Promovohet libri “Krime serbe në Kosovë”, i autorit Çerçiz Loloçi. (Qendra Mediale të Kolegjit AAB, ora 11:00)

- Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, merr pjesë në prezantimin e pullës postare, dedikuar personelit shëndetësor që kanë humbur jetën gjatë ballafaqimit me COVID-19. (Ministria e Shëndetësisë, ora 11:00)

- Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i është kushtuar albanologut austriak - hebre Norbert Jokl. (Ambientet e Fakultetit të Edukimit-Filologjisë në Gjakovë, ora 12:00)

- Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, merr pjesë në përurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë familjare në Strellc të Deçanit. (Strellc – Deçan, ora 12:30)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj aktivitet afër Ministrisë së Shëndetësisë. (Afër Ministrisë së Shëndetësisë, ora 13:00)

- Kandidati për deputet i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, mban konferencën për medie. (Zyra e AAK-së, ora 13:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj merrë pjesë në takimin në mbështetje të nominuarëve për deputet në Skenderaj. (Lokali 'Te Mixha' në fshatin - Polac, Skënderaj, ora 16:30)