22 Tetor 2019

50 oficerë të Gardës Kombëtare të Ajovës vizitojnë FSK-në

Prishtinë, 19 shtator - Një delegacion, prej 50 oficerësh dhe nënoficerësh të “Staff Ride“ të Gardës Kombëtare të Ajovës, nga data 16-20 shtator 2019, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni „Staff Ride“ nga Ajova së bashku me oficerë dhe nënoficerë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, kanë vizituar disa vende historike dhe të rëndësishme të Republikës  së Kosovës, si dhe kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme akademike dhe rekreative.

Oficerët amerikanë së pari kanë vizituar kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë, si dhe Qendrën për Studime Universitare, Policinë e Forcës, Kompaninë e Mjekësisë, Batalionin e Xhenios dhe atë të Logjistikës. Vizitorët janë njoftuar me kapacitetet e njësive, aktivitetet dhe angazhimin e tyre, kapacitetet ekzistuese të FSK-së dhe planifikimet e fazës së tranzicionit.   

Më pas, oficerët amerikanë kanë vizituar edhe disa vende historike si: qytetin e lashtë „Dodona“, Manastirin e Graqanicës, Krushën e Madhe, Gazimestanin. Po ashtu kanë vizituar edhe qytetin e Prishtinës, të  Prizrenin dhe atë të  Gjakovës, si dhe disa vende me rëndësi historike e kulturore.

Forca e Sigurisë e Kosovës, ka organizuar edhe lojë miqësore në futboll ndërmjet Ekipit të FSK-së dhe atij të „Staff Ride“ të Gardës Kombëtare të Ajovës,  e cila u zhvillua në stadiumin „Fadil Vokrri“ në Prishtinë.

Vizita e delegacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës, po zhvillohet në kuadër të Programit  të  Partneritetit Shtetëror që ka Kosova me Shtetin e Ajovës. Kjo vizitë përveç njohjes nga afër ka për qëllim edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet FSK-së dhe Gardës  Kombëtare të Ajovës

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 tetor 2019 - Me rastin e 30 vjetorit të rënies së komunizmit, Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez do të organizojë konferencën shkencore ndërkombëtare me titull '30-vjetori i rënies së sistemit komunist'. (Hoteli Sirius, ora 9:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit mbahet dita e dytë e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë per koordinimin ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Matthew Cullinane, do të flasë në hapjen e Konventës së tretë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve në Kosovë. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të Fakulteteve të UP-së “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të protestojnë para Rektoratit të UP-së. (Para Rektorati, ora 10:00)

- Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri do të mbahet Panairi i Sportit me të gjitha klubet sportive të qytetit të Mitrovicës. (Sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Dega e Alternatives në Gjakovë mban konferencë për media. (Zyrët e Alternativës në Çarshinë e Jupave në Gjakovë, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit “Gjinekologjia me obstetrikë  për infermieri dhe mami” me autore Prof. dr. Myrvete Paçarada dhe bashkautorë  Ass. dr. Vlora Ademi Ibishi dhe Ass. dr. Nyltene Kongjeli. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)

- Më rastin e Ditës Boterore të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencë për media me temë 'Cilat duhet të jenë prioritete e qeverisë së re në sektorin e energjisë në Kosovë?  - Rekomandime dhe propozime nga shoqëria civile'. (Zyrët e Resource Center (Lagjja Pejton, Rr. Pashko Vasa, nr. 1, përballë Hotel Royal, ora 13:00)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 173-të. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 13:30)

- ETEA organizon premierën e shfaqjes “Muret Flasin” që i dedikohet përkujtimit të organizimit të arsimit paralel gjatë viteve të '90-ta. (Shtëpia - shkollë “Sami Frashëri” e familjes Aliu - Hertica, ora 20:00)