20 Prill 2024

Vazhdojnë rëniet e infektimeve me koronavirus në Evropë, nis lehtësimi i masave

Prishtinë, 14 prill - Shumë shtete evropiane kanë nisur në fillim të kësaj jave lehtësimin e masave të ashpra të bllokimit kundër përhapjes së koronavirusit.

Vendimet janë marrë pas shifrave që treguan rënie të ritmeve të përhapjes në vende problematike si Italia dhe Spanja, Gjermania, Austri, Sllovenia dhe Danimarka.

 Italia ka raportuar numrin më të ulët në tre javë të vdekjeve nga koronavirusi dhe zyrtarët thonë se shtrimi në spital, përfshirë numrin e pacientëve të pranuar në pavionin e kujdesit intensiv, gjithashtu janë në rënie.

Italia ka qenë vatra e nxehtë COVID-19 e Evropës me më shumë se 156 mijë raste të konfirmuara në përgjithësi.

Por disa ekspertë italianë thonë se numri aktual mund të jetë shumë më i lartë për shkak të shkallës së lartë të vdekjeve në infermieritë ku shumë prej pacientëve nuk u testuan para se të vdisnin.

Ndërkohë gjetiu në Evropë, Franca po raporton gjithashtu një rënie të vdekjeve të koronavirusit dhe zyrtarët spanjollë po lejojnë ndërtimin dhe punëtorët e tjerë industrialë të kthehen në punët e tyre të hënën pas një mbyllje dy-javore.

Spanja i lejoi disa biznese të rikthehen përsëri në punë të hënën. por pjesa më e madhe e masave në këtë vend, të njohura tashmë si nga më të rreptat në Evropë, mbetën në fuqi pavarësisht nga një ngadalësim në nivelin e vdekjeve nga koronavirusi.

Policia shpërndante maska për fytyrën njerëzve që kalonin nëpër qendrat kryesore të transportit kur shkonin për në punë, megjithëse vetëm disa udhëtarë u panë duke përdorur stacionin e trenit Atocha, në Madrid, dhe trafiku rrugor ishte kryesisht me autobusë publikë.

Megjithëse disa aktivitete, përfshirë ndërtimin dhe prodhimin, u lejuan të rifillojnë, Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa tha se Spanja vazhdon të jetë e mbyllur. Dyqanet, baret dhe hapësirat publike janë vendosur të qëndrojnë të mbyllura deri të paktën në 26 Prill.

Kufizimet kanë ndihmuar në ngadalësimin e një niveli rritjeje shumë të madhe të vdekjeve që arriti kulmin në fillim të prillit dhe disa punëtorë shprehën shqetësimin se një relaksim mund të shkaktojë një rritje të rasteve.

Edhe Gjermania pritet të vendosë sot për zgjatjen ose jo të masave kufizuese, teksa numri i viktimave vijon të bjerë në Gjermani.

Kancelarja gjermane Angela Merkel është vënë nën presion nga sektorët e ekonomisë për hapjen e shkollave e fabrikave, teka sinjale dhune kanë nisur prej masave të izolimit.

Gjermania ka shëniar sot rënien e tretë radhazi të infektimeve me 2,537 raste të reja, si dhe të vdekjeve që ishin 126 në 24 orët e fundit.

Në Danimarkë, pas disa javësh mbyllje për urgjencën e koronavirusit, kopshtet dhe shkollat fillore do të rihapen.

Rreth 52 bashki, përfshirë Kopenhagën, do t’i rikthehen normalitetit duke dalë nga rregullat e karantinës.

Vendimi për hapjen e shkollave fillore u njoftua në një konferencë për shtyp nga kryeministrja Mette Frederiksen, i cili u konfirmua edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Austria nisi sot lehtësimin e masave të izolimit, të cilat ishin ndërmarrë për mbrojtje nga koronavirusi.

Mijëra dyqane nën 400 metra katrorë u rihapën, ashtu si edhe dyqanet e pajisjeve të rënda dhe qendrat e kopshtit.

Megjithatë, distancimi fizik mbetet në fuqi, ndërsa njerëzit udhëzohen të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që ta kenë të mundur.

Ministri i Shëndetësisë në Poloni, Lukasz Szumowski, tha se kufizimet e ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit në këtë vend, do të nisin të lehtësohen nga data 19 prill.

Deri të hënën mbrëma, Polonia ka pasur 6,934 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 245 pacientë atje kanë humbur jetën.

Edhe në Slloveni dhjetëra mijëra punëtorë në, tregti dhe shërbime, do të rifillojnë punën sot pas një ndalimi njëjavor për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Sipas një dekreti qeveritar, mekanikët e makinave, vullkanizorët, vendet më të mëdha të ndërtimit dhe dyqanet e materialeve dhe pajisjeve të ndërtimit gjithashtu mund të funksionojnë.

Infektologët slloven tregojnë se numri i infeksioneve të reja në ditët e fundit është në rënie nga më shumë se 20 në fillim të muajit prill, duke treguar një prirje për të frenuar epideminë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)