13 Nëntor 2019

Spitali i Mitrovicës, me shërbime të kompletuara në ortopedi

Prishtinë, 10 prill - Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, po trajtohen disa raste më të ndërlikuara të lëndimeve në gju, të cilat më herët janë kryer vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Përveç ndërhyrjeve për vendosjen e protezës totale, mjekët janë duke realizuar edhe një operacion tjetër si, ligamento-plastika  në ligamentin kryesor të përparmë të gjurit.

UD. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm, Enis Istrefi, vlerësoi lart punën e mjekëve specialistë, derisa tha se qytetarët e Mitrovicës dhe qyteteve përreth nuk kanë nevojë më t’i drejtohen QKUK-së për të tilla shërbime ortopedike.

“Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi Repartin e Ortopedisë për punën që po bëjnë. Qytetarët e Mitrovicës dhe Regjionit të Mitrovicës, tash e tutje, mund  t’i drejtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ato lloj të operacioneve dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK, pasi që ato kryhen edhe tek ne”, thotë Istrefi.

Në anën tjetër, shefi i Repartit të Ortopedisë, Afrim Ngucati,  tha se aktivizimi i shërbimeve për problemet e pjesës ortopedike ndihmon shumë edhe QKUK-në.

“Qëllimi ynë është që të shkarkohet edhe Qendra Klinike Universitare, ku dihet që është një fluks shumë i madh i pacientëve”, thekson Ngucati.

Ortopedi  Amir Veseli, ndërkaq, foli për numrin e operacioneve që kryhen në baza javore, gjersa theksoi nevojën për hapjen edhe të një salle të re, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat me kohë.

“Numri i operacioneve mund të shkojë deri në 10 brenda javës, duke përfshirë gjithë patologjinë e pjesës ortopedike” thotë Veseli.

Në këtë spital, shërbime mjekësore për problemet që ndërlidhen me ortopedinë, marrin edhe pacientë nga Vushtrria dhe Skënderaj.

Pacienti Bujar Kerolli, i shtrirë në Repartin e Ortopedisë, pas operacionit, thotë se trajtimi ishte në nivelin e duhur. Kerolli nuk ka besuar që pa pritur gjatë do të operohej.

"S’kanë nevojë me shku në privat, s’kanë nevojë me shku në Shqipëri. Sa i përket Repartit të Ortopedisë, më shumë se perfekt është", vlerëson Kerolli.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)