19 Mars 2024

Sensibilizohet çështja e regjistrimit të lindjes e fëmijëve

Prishtinë, 15 nëntor - Në kuadër të promovimit të të drejtave të fëmijëve dhe zvogëlimin e numrit të personave të pa regjistruar në Kosovë, zyra e UNICEF-it dhe e UNHCR-së si pjesë e nismës globale, koalicionit të përbashkët “për të drejtën e secilit fëmijë për të pasur një shtetësi”, kanë mbajtur në Prishtinë një takim pune përkitazi me rëndësinë e regjistrimit të lindjes së fëmijëve.

Në këtë takim morën pjesë zyrtarë nga Agjencia e Regjistrimit Civil, zyrtarë të gjendjes civile dhe të qendrave për punë sociale nga disa komuna të Kosovës, Kryqi i Kuq dhe Programi për të Drejtat Civile.

Merita Ahma, zyrtare për mbrojtje të refugjatëve në zyren e UNHCR-së, Agjencia e OKB-së për refugjatët, theksoi se në aspektin global është bërë përparim i dukshëm në kuadër të kampanjës së UNHCR-së #IBelong (unë përkas), e cila ka për qëllim çrrënjosjen e situatave kur fëmijët mbeten të pa regjistruar. Kampanja ka filluar katër vite më parë dhe do të vazhdojë deri në vitin 2024.

Po ashtu, ajo theksoi se këtë vit shënohet 70 vjetori i Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, në tekstin e së cilës përcaktohet një rol i veçantë për të drejtën që, secili njeri të jetë i regjistruar. Sado që, numri i personave të pa regjistruar në Kosovë nuk është i madh, megjithatë është e domosdoshme që secili fëmijë të regjistrohet.  

Komunitetet më të prekura me mungesë të regjistrimit të menjëhershëm të lindjes së fëmijës, përkatësisht regjistrimit janë romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit. Sipas hulumtimeve del se edhe në mesin e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar ka fëmijë të pa regjistruar.

Ky problem paraqitet jo vetëm te fëmijët e lindur në Kosovë, por po ashtu edhe te ata që janë të zhvendosur brenda apo jashtë Kosovës, apo te familjet e riatdhesuara nga vendet e perëndimit, të cilat përballen me mungesë të dokumentimit të lindjes së fëmijëve të tyre.
 
Afrim Ibrahimaj, udhëheqës i sektorit për mbrojtje të fëmijëve në zyren e UNICEF-it, theksoi se ky takim përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e cila shënohet më 20 nëntor.

“Regjistrimi i fëmijëve duhet të konsiderohet si e drejtë fundamentale, të cilën e gëzojnë të gjithë fëmijët dhe duhet t’u ofrohet fëmijëve pa kufizim”, theksoi z. Ibrahimaj.

Më tutje, ai tha se regjistrimi i fëmijës është hap që çon te të drejtat e tjera. Regjistrimi është e drejtë që përkon edhe me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, për arritjen e të cilave janë zotuar edhe institucionet në Kosovë.

E drejta për shkollim rrjedh nga regjistrimi i fëmijës, por me regjistrim fëmija përfiton edhe imunizimin, shërbime sociale, dhe pjesëmarrje në procese të caktuara.

Rëndësia e regjistrimit të fëmijës është e madhe edhe ngase mund të nxisë institucionet në krijim dhe planifikim të politikave, ligjeve dhe buxhetit, që mund të ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve.

Erdon Arifaj nga sektori i gjendjes civile në Agjencinë e Regjistrimit Civil tha se “ende mbeten afro 500 persona të pa regjistruar. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë të pa regjistruar që para vitit 1999”.

Antigona Sopjani nga organizata Kryqi i Kuq i Kosovës, vuri në pah, se në kuadër të një projekti të veçantë i nisur në fund të vitit 2017, për të identifikuar personat e pa regjistruar janë bërë vizita në komunat: Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan dhe Ferizaj.

Ajo, tha se gjatë vizitave në terren janë identifikuar 180 fëmijë dhe 42 persona të rritur të pa regjistruar, me ç’rast u evidentua se në njërën komunë kishte një numër të fëmijëve shqiptarë të pa regjistruar.

Takimi u përmbyll me rekomandime të përbashkëta me qëllim të përmirësimit të gjendjes përsa i përket mos regjistrimit të lindjes së fëmijëve.

Me këtë rast, u theksua se është i nevojshëm koordinim i shtuar i institucioneve për gjetjen e një mënyre të përshtatshme që të sigurohet që të gjithë fëmijët të jenë të regjistruar; që të punohet në heqjen e gjobave dhe të zbulohet mënyra për stimulimin e regjistrimit të lindjeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)