21 Shtator 2020

Rriten kapacitet e Qendrës Operative për menaxhimin e Pandemisë

Prishtinë, 3 gusht - Ministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator i Grupit Ndër- Institucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI), Agim Veliu, ka mbajtur takimin e radhës  me përfaqësues të grupit, ku diskutuan rreth menaxhimit të situatës aktuale me pandeminë COVID-19.

Koordinator i këtij Grupi, Agim Veliu theksoi se e kemi për obligim vendosjen e masave adekuate që janë në proporcion me situatën aktuale, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe aspektin dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Ai tha se në mbledhjen e 18-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Hoti ka kërkuar që të aktivizohet në tërësi Plani i Reagimit Kombëtar.

“Me lejoni të theksoj se Ministria e Punëve te Brendshme ka potencial dhe kapacitete si njerëzore por edhe logjistike për të menaxhuar dhe zbatuar në përpikëmëri këtë plan, duke u bazuar në kapacitetet dhe përvojën që ka si në Policinë e Kosovës dhe me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave”, theksoi Ministri Veliu.

Ministri Veliu theksoi rëndësinë e vendimmarrjes që ka ky grup dhe kërkoi që të bëhet lista e prioriteteve me nevojat urgjente, në mënyrë që të merren vendimet e duhura për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë. 

Në këtë takim Ministri i Shëndetësisë bëri një rezyme të përgjithshme sa i përket menaxhimit të situatës në aspektin shëndetësor, ku theksoi se gjendja është shumë serioze, me shifra të larta të qytetarëve që po vazhdojnë të infektohen dhe shifra të larta të qytetarëve që po e humbin jetën.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, theksoi sfidat me të cilat po ballafaqohet policia gjatë zbatimeve të vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Ai tha se nga aspekti i përgjithshëm i sigurisë gjendja është e qetë dhe stabile.

Në këtë takim u vendos që të rriten kapacitet e Qendrës Operative të MPB-së edhe me institucione dhe akter të tjerë, të vihen në funksion me kapacitet të plotë të gjitha shtabet emergjente lokale dhe nga sot të gjitha shtabet komunale, shtabet për menaxhimin e krizave, qendra rajonale etj, do të subkoordinohen me Qendrën Operative të MPB-së.

Në fund u morr vendim që të bëhet lista e nevojave urgjente dhe ato që janë në kompetencë të këtij grupi, në mënyrë që shumë shpejtë të mbahet mbledhja e radhës dhe të merren vendimet për kërkesat që janë të domosdoshme në funksion të menaxhimit të kësaj situate.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00)