14 Gusht 2022

RrGK me rekomandime për heqjen e taksave në produktet menstruale

Prishtinë, 24 maj - Sot, më 24 maj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) lanson fushatën përmes së cilës kërkon heqjen e taksave nga produktet menstruale.

Aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit. Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm.

Përmes kësaj fushate, RrGK do t’i informojë qytetarët dhe institucionet për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës- duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara [burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës, tremujori i parë, viti 2021].

Fushata, ndër të tjerash, sjell në debatin publik faktin se menaxhimi i higjienës menstruale është çështje e të drejtave themelore të njeriut, e duke pasur këtë ndër mend, produktet menstruale nuk mund të vazhdojnë të tatohen si të ishin produkte luksi.

Për të avokuar për këtë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Women (EKW), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë apo të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë.

Ndër rekomandimet kryesore është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë ligjin numër 05/L-037 për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi.

Sipas analizës gjinore të RrGK-së, kjo do të shkojë në të mirën e familjeve me të ardhura të ulëta si dhe do të kontribuojë në arritjen e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërore, duke e larguar këtë taksë diskriminuese për gratë. Për më tepër, kjo do të kontribuonte në përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor, menaxhimin të higjienës personale, arsimim si dhe në punësim. Nëse heqja e tërësishme e taksës nuk është e mundur, atëherë gjithsesi kjo taksë duhet të zbritet në 8%, pasiqë në këtë mënyrë do të zbritej çmimi e tyre pa u vërejtur aq në mbledhjen e të ardhurave shtetërore.

Përveç këtij dokumenti të rëndësishëm që së shpejti do e publikojmë në faqen tonë www.womensnetwork.org, fushata do të zhvillohet edhe në rrjete sociale, ku përmes ilustrimeve do të paraqesim rekomandimet tona në të tri gjuhët; shqip, anglisht dhe serbisht.

Kjo fushatë mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 gusht 2022

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 12:00)

- Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunë së Gjilanit, Alban Hyseni do të bëhet rivarrimi i dëshmorit, Enver Pacolli nga varrezat civile në Hajvali në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për nder të ditëlindjes së tij. (Varrezat e dëshmorëve në Gjilan, ora 12:00)
 
- Mbahet dita e dytë e festivalit “Mal Fest” në Malishevë i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. (Parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- - Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi" behët promovimi i librit "Teknologjia e Lajmit" e autort Zylyftar Bregu ku i pranishëm do të jetë edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi poashtu Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. (Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë, ora 19:30)