28 Tetor 2020

Rënia e shifrave gjatë ditëve të fundit, ka dhënë një qetësi në familjet tona

Prishtinë, 22 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, vizitoi Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ku në një bashkëbisedim me drejtorët e klinikave të QKUK-së, Bordin drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe anëtarët e Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në kuadër të shërbimit spitalor, i falënderoi për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë vitit.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, tha se rënia e shifrave gjatë ditëve të fundit, ka dhënë një qetësi në familjet tona.

“Jemi në rrugën e duhur dhe besoj që objekti i Klinikës Emergjente duhet të bëhet gati për vjeshtë dhe, gjithashtu të fillojë shpejt edhe vaksinimi i rregullt, në mënyrë që të kemi një mbrojtje për të sëmurët kronikë, për fëmijët dhe grupet më të rrezikuara”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se edhe vetëdija e qytetarëve është rritur për rrezikun që paraqet ky virus.

Më tutje, gjatë këtij bashkëbisedimi, kryeministri Hoti theksoi se është me rëndësi për të hyrë në plane afatgjata të ristrukturimit komplet të institucioneve shëndetësore dhe në këtë mënyrë të riorganizohet komplet sistemi shëndetësor për t’u përballë me këtë pandemi dhe me pandemitë që mund të paraqitet në vitet që vijnë.

“Kemi korrur rezultate të jashtëzakonshme, t’i mbajmë këto rezultate dhe në këtë mënyrë të jemi të përgatitur për zhvillimet që mund të ndodhin”, tha kryeministri Hoti, duke shprehur ngushëllime për të gjitha familjet, pjesëtarët e të cilëve kanë humbur jetën dhe gjithashtu u ka uruar shërim të shpejtë atyre që janë duke u trajtuar.

Kryeministri Hoti, gjithashtu premtoi se deri sa të bëhet Ligji i Pagave, do të vazhdohet në bazë të vendimit të Qeverisë për një shtesë, që nuk është e mjaftueshme, por tregon përkushtimin e shoqërisë dhe shtetit për punën që po bëjnë mjekët dhe personeli ndihmës dhe të gjithë ata që janë në zingjirin e shërbimeve shëndetësore.

Gjithashtu sot, në objektin e ShSKUK-së, kryeministri Hoti, zhvilloi një takim me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi, si dhe me ekipin e mjekëve nga Italia, të cilët kanë qëndruar në Kosovë disa ditë.

Kryeministri Hoti falënderoi mjekët, qeverinë italiane, KFOR-in për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kanë pas gjatë kësaj periudhe.

“KFOR-i, edhe njëherë e ka dëshmuar që është në mbështetje të qytetarëve të Kosovës në të gjitha kapacitete, edhe në ruajtje të rendit dhe sigurisë, por edhe në mbështetje, siç është rasti me pandeminë”, tha kryeministri Hoti dhe shtoi se mjekët që kanë qëndruar në Kosovë, kanë bërë një vlerësim të situatës nga misioni që kanë kryer këtu.

Ndërkaq ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se, prezenca e kryeministrit Hoti është një vlerësim për punën e tyre dhe mirënjohje për angazhimin vetëmohues të të gjithë profesionistëve shëndetësorë.

“Kjo vizitë na motivon dhe inkurajon jo vetëm për vazhdimin e kësaj punë, por edhe për ngritjen e gatishmërisë dhe përgatitjen më të mirë për menaxhimin e një vale të mundshme të pandemisë COVID-19 në vendin tonë”, tha Krasniqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2020 - Qendra e parë shoqërore në Prishtinë “Termokiss” nisë programin pesë ditor “Krejt Ka Pak V - Me Zemër Ngat” me aktivitete të ndryshme. (Hapësira e Termokissit, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësuesit e Divizionit të Skemave për Kategoritë e Luftës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të  Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të  “Muajit të mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara”, që është muaji tetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, do të vizitojnë personat me aftësi të kufizuara që janë të angazhuar në Administratën Komunale të Komunës së Prizrenit. (Objekti i Administratës Komunale në Qendrën për Shërbime të Integruara-One Stop Shop, ora 10:00)

- Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq raporton para Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim lidhur me raportin e punës së ministrisë, për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj mbajnë tryezë konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane. (Objekti i Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë një konferencë për media. (Ministria e Drejtësisë, ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi raporton para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike lidhur me problemet që është duke u ballafaquar ministria në përgjithësi, në veçanti për prodhuesit dhe transportuesit vendor për CEFTA si dhe për subvencionet e ndara për biznese gjatë pandemisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. (Objekti i KRPP-së, ora 14:00)

- Ministrja e Financave Hykmete Bajrami raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në Sistemin e Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci përmbyllë Projektin “Akademia për Lidership”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot mban tryezë me përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave që merren me përkrahjen e grave me kancer të gjirit, si dhe gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit. (Holli i Kuvendit, ora 15:00)

- Ambasada e Gjermanisë bashkë me Asociacioni për Evropën Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani organzojnë konferencën digjitale “Të rinjtë, migrimi dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”. (Onlne, ora 16:00)