26 Prill 2024

QKUK, trajtohet një paciente me gripin H1N1

Prishtinë, 9 janar - Në Kosovë është konfirmuar rasti i parë për ketë sezon i gripit AH1N1, e që ndryshe njihet edhe si gripi i derrit.

Qendra Kombëtare e Gripit në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e Kosovës, e ka konfirmuar rastin.

37 vjeçarja e prekur nga virusi H1 N1 vazhdon të jetë në gjendje të rënd shëndetësore. Gjatë ditës ajo do të transferohet në Klinikën Infektive për trajtim të mëtutjeshëm.

Pacientja 37 vjeçare e prekur nga virusi i gripit të derrit është në gjendje të rënd shëndetësore. Gjatë ditës ajo pritet të transferohet nga Mjekimi Intensiv Qendror në Klinikën Infektive, bënë të ditur zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu.

“Është ripërsëritur analiza në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe fatkeqësisht ka rezultuar pozitive në virusin H1 N1. Tash për tash ajo është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror dhe pritet të transferohet gjatë ditës në Klinikën Infektive ku do të vazhdojnë trajtimin”, ka theksuar ai.

Falziu ka thënë se Qendra Klinike Universitare është e pajisur me dozë të “Tamiflus” derisa familjarët janë të detyruar të blejnë terapinë përcjellëse imunitare.

Pacientja fillimisht është trajtuar në Klinikën e Mushkërive me simptoma të gripit të rëndomtë. Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ajo u transferua në Kujdesin Intensiv Qendror ku i janë bërë analizat e detajuara, rezultatet e të cilave tri herë radhazi treguan se pacientja është prekur nga virusi H1 N1.

Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani jep më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje.  

“Në laboratorët e IKSHP-së, dje është konfirmuar rasti i parë i gripit AH1N1e që tashmë është një virus i zakonshëm dhe virus sezonal, te një paciente e hospitalizuar në mjekimin intensiv në QKUK. Rasti i sotëm në anketën e detajuar nuk ka ndonjë lidhshmëri epidemiologjike që pacienti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka sjellë virusin”.

“Por, situata epidemiologjike është nën mbikëqyrje të plotë duke, e pasur parasysh që jemi në sezonin real të gripit sezonal dhe ne rekomandojmë te qytetarët që t’i shmangen vendet e mbyllura të paajrosura”, shprehet Ramadani.

Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik  dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë në gjendje gatishmërie për t’u përballur me raste eventuale të virusit  AH1N1.

Këtë e thotë edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skender Syla.

“Institucionet shëndetësore në vitet paraprake kanë bërë përgatitjet e duhura në mënyrë që sistemi shëndetësor të jetë i gatshëm për t’u përballuar me forma të gripit duke përfshirë edhe atë AH1N1. Andaj mendoj se institucionet shëndetësore për nga aspekti i menaxhimit dhe pajisjeve kanë potencial të përballimit të rasteve të cilat do të mund të paraqiten”, thotë Syla.

Ndërkaq udhëheqësi i IKSHP-së, Naser Ramadani, rekomandon që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal.

“Tashmë kemi rekomanduar që të vaksinohen qytetarët sepse ka mjaft vaksina të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare dhe rekomandojmë te qytetarët që të përdorin më shumë vitamina dhe ushqim kalorik”.

Sidoqoftë, infektologët në vend shpjegojnë se simptomat e këtij virusi janë pothuajse të njëjta me gripin e zakonshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)