23 Korrik 2019

QKUK dhuron pako me produkte për nënat që lindin në Gjinekologji

Prishtinë, 14 qershor - Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Base Agency, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit, përmes së cilës do të bëhet dhurimi i një pako për secilën nga nënat që lindin fëmijët e tyre në Klinikën e Gjinekologjisë.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, ka falënderuar Base Agency që kanë zgjedhur Klinikën e Gjinekologjisë për të  ndihmuar  nënat dhe foshnjat e porsalindura.

Në anën tjetër, Alban Shabani nga Base Agency tha se falë donatorëve kanë krijuar një pako, e cila do të përmbajë produkte që do t’i dhurohen falas nënave që lindin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, afërsisht 10,000 pako përgjatë një viti.

Dhurimi i pakove për nënat që lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, do të fillojë brenda pak ditësh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 korrik 2019 - Mbahet ceremonia e nënshkrimit të momerandumit të bashkpunimit mes Komunës së Lipjanit dhe Organizatës “Qatar Charity”. (Komuna e Lipjanit, Zyra e Kryetarit, ora 9:30​)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala interviston  Sebaudin Ramaxhiku, Zyrtar Ligjor në Telekom dhe Arben Hlili, Shef i Kontabilitetit Departamenti i Financave në Telekom. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në shpërndarjen e lopëve qumështore, për përfituesit nga thirrja e hapur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. (Tregun i Kafshëve, rruga e tranzitit, Arbanë, ora 11:30 - Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 11:00)

- Partnerët implementues OJQ Dera e Hapur dhe OJQ SOZM organizojnë panairin e Artizanateve dhe Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. (Sheshi “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Nën përkujdesjen e Kryetarit, Lutfi Haziri, bëhet promovimi i librit “Le secret de Blerim et autres fictions - Sekreti i Blerinit dhe proza të tjera” i autorit Jean Yves Carlen. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjilan, ora 12:00)

- Grupi i Aktivistëve organizojnë marshin protestues kundër racizmit për të kërkuar përgjegjësi para Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Sheshi "Skënderbeu", ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flasin nënkryetari Besnik Bislimi dhe Drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca. (Zyrët e Vetëvendosjes, ora 13:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të vizitojë Gjilanin, ku me kryetarin e komunës, Lutfi Haziri do të nënshkruajnë memorandume të bashkëpunimit për financimin e projekteve në fushën e mjedisit në këtë komunë. (Ndërtesa e Komunës së Gjilanit, ora 14:00)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mban seminar te Biznesit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zonës Industriale të Re në Drenas në të cilën do të merr pjesë edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:30)